Driton Kuka flet pas medaljeve të fituara në Tokio: Heronjtë e mi, ende nuk më besohet


Kosova ka arritur dy medalje të arta në Lojërat Olimpike, Tokio 2020.
Fillimisht ishte Distria Krasniqi që fitoi medaljen e artë pastaj edhe Nora Gjakova e përsëriti atë sukses.
Të dy medaljet e arta të fituara nga Kosova erdhën nga xhudo, ku ndër më meritorët është trajneri Driton Kuka.

Trajneri pejan ka shkruar një tjetër shkrim emocionues në profilin e tij në Facebook, duke thënë se ende nuk i besohet për suksesin e arritur.
Në renditjen e medaljeve në Olimpiadë pas përfundimit të garave individuale të xhudos, Kosova e sheh veten në vendin e dytë, e kaluar vetëm nga Japonia, shteti ku ka lindur ky sport.
Një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe për këtë trajneri Driton Kuka ka thënë se ende nuk po i besohet.

Postimi i plotë nga Driton Kuka:
Lojërat Olimpike 2020 Tokio. U nis me Majlinden në Rio De Janeiro tash e 5 vite, e arta erdhi në Kosovë!
Në Tokio vazhduan Distria e Nora. Krejt të Arta! Medalje të Arta Olimpike.

Ende s’më besohet, kemi ardh për medalje por… 2 të Arta e një vend i 7 për shtetin me më pak se 2 milionë banorë. Dhe kjo s’është e tëra!
Çfarë e arriture në radhitjen e shteteve me medalje të arta në sportin ku shtetet investojnë me dhjetëra e qindra miliona Euro! Kosova vetëm pas Japonisë e para Francës, Rusisë … e para 200 e më shumë shteteve dhe e gjithë kjo në Lojëra Olimpike!