Dritan Abazoviç kryeministër i Malit të Zi? Sot nisin bisedimet

Nënkryetari i lëvizjes Ura, Milosh Konatar tha për mediat malazeze se personalisht beson që kryeministër i vendit duhet caktuar Dritan Abazoviç.

Bisedimet për këtë skenar, sipas tij, nisin sot. Ai tha se do të diskutojë për këtë me përfaqësues të mazhorancës aktuale, por edhe me subjekte të tjera në parlament.

Qeveria proserbe e Zdravko Krivokapiçit u rrëzua një ditë më parë me votat e 43 deputetëve në parlament, ndërsa kundër këtij hapi ishin 11 ligjvënës.

Gjithsej votuan 54 deputetë. Pro votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis, ndërkaq deputetët nga Fronti Demokratik, ata të Lëvizjes për ndryshime dhe deputetët e Partisë Socialiste popullore nuk ishin të pranishëm gjatë votimit.

Mocioni i mosbesimit u iniciua nga Lëvizja URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Abazovic. Votimi i mocionit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Abazoviç tha se do të nisin bisedimet për formimin e pushtetit të ri ekzekutiv dhe se janë disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Menjëherë pas rënies së qeverisë në Podgoricë dhe në disa qytete të tjera të Malit të Zi u festua me fishekzjarrë dhe parulla “E Viva Montenegro” (Rroftë Mali i Zi).