Deputeti i AAK’së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës po dështon në menaxhimin e situatës me virusin COVID-19. Ky reagim i Dreshajt vjen pas publikimit të raportit të sotëm nga ana e IKShPK’së, ku nga testimet e bëra afër 3 mijë qytetarë rezultuan pozitiv me koronavirus.
Dreshaj ka thënë se këto shifra janë alarmante.
“Sot, nga 11,863 testime, 2,943 rezultuan pozitiv, si dhe kemi 12,396 raste aktive. Kjo situatë, me këto shifra brengosëse, e futë Kosovën në listën e vendeve më të rrezikuara nga varianti i ri i Covid-19, Omicron, si dhe bëri që Gjermania ta futë Kosovën në grupin e vendeve me rrezik të lartë. Të nderuar, kjo shifër është alarmante. Për këtë kemi alarmuar edhe më heret, duke paralajmëruar për një situatë të tillë edhe në konferencën për shtyp të fundit të mbajtur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përkundër rekomandimeve tona si ekspertë të fushës, që qeveria të jetë më agjile për implementimin e masave parandaluese në terren (masa si: mbajtja e maskës, mbajtja e distancës, dhe dezinfektimi I duarve), gjë që nuk u implementua në praktikë, ose fare pak, sot ballafaqohemi me shifrat më të mëdha të pozitivitetit të të testuarve për Covid-19, dhe qeveria rekomandon masa shtesë në kufizim qarkullimi dhe në sektorin e gastronomisë. Si mund të vlerësohen masat standarde të parandalimit si të pamjaftueshme, përderisa këto masa as që janë implementuar në përditshmëri. Pandemia nuk menaxhohet me urdhëra, me letra, me fjalë, por menaxhohet me vepra duke I implementuar masat që rekomandohen nga ana e grupit të ekspertëve. Veprimin e fundit të qeverisë, në reduktim të orarit të gastronomisë dhe me orën policore duke filluar nga ora 22:00, nuk e shohim frytdhënëse e as veprim të qëlluar nëse nuk implementohen masat standarde të parandalimit”, ka shkruar ndër të tjera Dreshaj në Facebook.
Dreshaj u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen.
Gjatë 24-orëve të fundit është raportuar një rast i vdekjes nga Covid-19, ndërsa janë regjistruar edhe 2 mijë e 943 raste të reja. Rastet e reja u identifikuan pas testimit të 11 mijë e 563 mostrave. Në raportin ditor thuhet se edhe 317 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19, ndërkaq raste aktive janë 12 mijë e 396.