Drejtori i statistikave: Në vend ka rreth 1,5 milionë banorë

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës Apostol Simevski nuk pret që nga regjistrimi të dalin më shumë se 1.5 milionë banorë në shtet, pasi që siç thotë ai, trendi i emigrimit është shqetësues. Në një intervistë për Utrinski Brifing ai theksoi se vetëm në Gjermani jetojnë rreth 130.000 bashkëqytetarë tanë, a çdo i porsalindur i tretë, lind jashtë vendit.

“Treguesit që i kemi mbledhur me hulumtimet statistikore në lidhje me lindjet tregojnë se kemi rënie të vazhdueshme të lindjes në vend, derisa rritet lindja jashtë vendit. E gjithë kjo tregon se një pjesë e mirë e popullatës sonë ka emigruar jashtë vendit. Prej këtu është edhe frika ime se numrat e popullatës janë më të vogla. Të dhënat që i kam parë janë tmerruese. Të dhënat nga enti statistikor gjerman janë se deri në fund të vitit 2020 në Gjermani kemi 128.000 shtetas të RMV-së të cilët qëndrojnë atje, me leje për qëndrim. Ky është numër i madh”.
Ai sqaron se nuk planifikojnë që ta anulojnë regjistrimin e popullësisë që është paraparë për në shtator, edhe pse siç thotë ai kjo do të varet edhe nga gjendja epidemiologjike.

“Do t’i respektojmë të gjitha masat për mbrojtje, gjegjësisht gjatë regjistrimit do të sillemi sikur të jetë vala më e madhe e infektimit, duke i respektuar të gjitha masat. Nga ky aspekt, popullata nuk duhet të jetë e shqetësuar. Në shtator presim që të jetë koha e mirë, dhe një pjesë, ku ka mundësi, regjistrimin mund ta bëjmë në ambient të hapur… presim edhe se një pjesë e mirë e qytetarëve të jenë vaksinuar. Janë siguruar vaksina edhe për personelin tonë”.
Regjistrimi i popullësisë ishte paraparë që të realizohej në muajin prill, por u shty për në shtator pas takimit të Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Rethistrimi I paraparë për në vitin 2011, nuk u realizua për shkak të përplasjeve dhe pazareve politike.