Drejtori i Qendrës Kirurgjike Emergjente në Shkup, doktor Lleshi vullnetarisht do t’u ndihmojë dibranëve të tij

Drejtori i Qendrës Kirurgjike Emergjente, doktor Albert Lleshi, që është pjesë e ISHP KU për TSOARMIQU-Shkup në mënyrë vullnetare është paraqitur t’u ndihmojë dibranëve të tij, njofton portali “Qyteti i Dibrës”.

“Si mjek ndjeva obligim moral dhe për atë u lajmërova si doktor-vullnetar në Dibër, qytet prej ku dhe jam me prejardhje, dhe qyteti ku u regjistrua edhe vatra e parë e Covid19 në vend. Jam i gatshëm që me dituritë dhe aftësitë e mia t’i ndihmoj të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim në ventilator mekanik, përkatësisht trajtimin e pacientëve me gjendje më kritike”, shkroi mjeku në llogarinë e tij në Fejsbuk.

Lleshi është specialist i anestezionit dhe mjekimit intensiv.

Ndryshe doktor Lleshi është i lindur dhe i rritur në Dibër, ndërsa në qytet akoma është familja e tij më e ngushtë, prindërit, të cilët janë punonjës të njohur të arsimit dhe vëllai i tij.