Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit për banesat dhe veturën të padeklaruara: Fleta anketuese është obligimi im, por gabimi është te Sektori për resurse njerëzore


Drejtori i Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm, Fatmir Arifi, kuadër i BDI-së, arsyetohet se Sektori për resurse njerëzore pranë Inspektoratit ka kopjuar fletën e vjetër anketuese në vend që të kërkojë të dhëna të reja nga Kadastri dhe MPB-ja, edhe pse deklarimi i pronës që e posedon është obligim i tij ligjor personal si funksionar, shkruan 360 Gradë.

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) në tetor të këtij viti konfirmoi se drejtori i ISHNU-së nuk ka deklaruar dy banesa dhe një automobil, për çfarë arsye ka kërkuar nga Qeveria që ta shkarkojë, ndërsa nga Prokuroria penalisht ta përndjekë. Një muaj më vonë, Fatmir Arifi ende është drejtor, ndërsa nga Qeveria nuk ka informatë se nëse dhe kur iniciativa e KSHPK-së do të ndodhet në rend dite.

Një banesë në Çair, një tjetër në Hekuranë dhe automjet “ford mondeo” – është prona e padeklaruar e drejtorit të ISHNU-së Fatmir Arifi, për të cilin para një muaji Komisioni i Antikorrupsionit zbuloi se i posedon, por që nuk janë në fletëne tij anketuese, edhe pse e ka obligim ligjor t’i deklarojë. Banesat i ka fituar përmes legalizimi, që do të thotë kanë qenë të ndërtuar në mënyrë joligjore. Për mosdeklarimin, drejtori tashmë ka paguar gjobë kundërvajtëse, ndërsa për njërën banesë, në shkresë deri te KSHPK ka pohuar se e ka blerë me të holla nga rishitja e automobilave.

Fatmir Arifi, kuadër i BDI-së, është u.d. drejtor i Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm nga viti 2020. Në biografinë e tij të publikuar në ueb-faqen e Inspektoratit, mes tjerash, ka theksuar se deri më sot me sukses e ushtron funksionin e drejtorit. Në mandatin e tij, Inspektorati sabotoi aksion për rrëzim të një ndërtimi ilegal në “Rrugën e Plastikave”.

Si drejtor rralë paraqitet nëpër media, asnjëherë nuk ka mbajtur konferenca shtypi, ndërsa kumtesa e fundit e publikuar në faqe është nga korriku i këtij viti – për masa dhe rekomandime për punë në fazën portokalli.

Në intervistën e parë për “360 Gradë“, drejtori pranoi se nuk e ka azhurnuar fletën anketuese, por mbetet në qëndrimin se fajtor është nëpunësi në Inspektor, edhe pse ajo është obligim i tij ligjor si funksionar.

“Ky është gabim i Sektorit tim për resurse njerëzore, i cili, fletën anketuese e ka kopjuar nga viti paraprak. Nga Agjencia për patundshmëri nuk ka kërkuar listë për pronën time dhe nuk ka kërkuar nga MPB-ja sektor i posaçëm i komunikacionit për automjetet që i posedon. Është obligim i imi personal, megjithatë, kemi besim në sektorët. Tani nëse fillojmë që të gjithë sektorët t’i punojë vetë drejtori, nuk do të mund të merret me punë më të mëdha. E kam të qartë, megjithatë ka bërë gabim Sektori për resurse njerëzore”, tha ai.

I pyetur se nëse tani i ka dorëzuar fletët anketuese për këto prona, Arifi pohoi se i ka deklaruar.

“Po, janë deklaruar….ne po përgatisim fletë anketuese dhe po i deklarojmë, megjithatë të dy banesat janë të legalizuara ligjërisht. Po përgatisim, por përgatisim, po përgatisim fletë anketuese. po i përgatisim të gjithë dokumentet. Me siguri sot-nesër do t’i dorëzojmë”, tha ai.

Drejtori Arifi konfirmoi se merret edhe me tregti me automobila.

“Jo, kemi edhe të ardhura të tjera. Vajza ime punon, ka rreth një milion e 500 mijë të ardhura vjetore dhe të ardhurat e mia. Plus tregtoj, punoj edhe punë të tjera. Posaçërisht merrem me tregtim të veturave”, theksoi ai.

Arifi deklaroi se banesat i ka blerë që në vitin 2006, por më vonë i ka legalizuar. Potencoi se automobilin e ka blerë nga rishitja e një banese tjetër. I pyetur se pse kur e ka marrë funksionin nuk i ka deklaruar në fletën anketuese, drejtori tha se ende nuk kanë qenë të legalizuara dhe pa dokumente nuk ka pasur mundsëi se si t’i deklarojë.

“Ende nuk ishin të legalizuara. Nuk kisha dokument, si? Mendoj se klto janë legalizuar në vitin 2021. Nuk e kam azhurnuar fletën anketuese për shkak të kësaj arsyeje – sektorit për resurse njerëzore. Është joserioze mosdeklarimi i pronës, megjithatë gjithçka është ligjore. Automjeti, i kam shitur banesë Lidija Dodiqit – 31.5.2021. Me ato të holla, gjithçka është përmes xhiro-llogarisë. Blerësi i lëshon të hollat në xhiro-llogari tek unë, me ato të holla kam blerë veturë ‘ford mondeo’”, deklaroi drejtori Arifi.

Pasi ia kanë zbuluar pronën dhe i kanë kërkuar përgjigje, Fatmir Arifi u ka dorëzuar dokumente antikorrupsionerëve, por jo për patundshmëritë konkrete, thotë kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.

“Ai fillimisht tentoi ta hedhë topin tek personi zyrtar në institucionin e tij për resurse njerëzore, se gjoja ai është fajtor, për çka menjëherë iu përgjigjëm se çdo person i zgjedhur dhe emëruar ka përgjegjësi personale të plotësojë fletë anketuese. Pastaj, ai tha se merret me tregti të automjeteve dhe se me këmbim të automjeteve për objekt ndërtimor kryen legalizim të objeketeve dhe në këtë mënyrë përfiton pronë. Tha se në mënyrë plotësuese do të dorëzojë dokumentacion për këto objekte. Duke e pasur parasysh mënyrën se si janë përfituar ato prona, e pyetëm, tha se do të elaborojë, por nuk elaboroi. Konfirmuam se nuk ka të ardhura të tjera të rregullta të tatimuara. Të punësuar kishte vetëm njërin nga fëmijët, i cili nuk ka të ardhura të mëdha. Sido që të jetë, kemi rritje joproporcionale të pronës në krahasim me të ardhurat të cilat i fiton në muaj, të cilat janë të tatimuara, do të thotë të ardhura legale. Se si është përfituar prona, se nëse është përfituar në mënyrë legale, ndërsa e dimë se është përfituar në mëynrë jolegale, le të konfirmojë më tej Prokuroria”, tha Ivanovska.