Drejtori i ndërmarrjes publike “Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi dje është takuar me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun. Siç mësohet, temë kryesore ka qenë, rruga Tetovë – Prizren dhe rruga Shkup – Bllacë.
”Sot,bashkë me zëvendësministrin, z. Hysen Durmishi, dhe shefen e kabinetit znj. Rineta Jashari pritëm në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, si dhe drejtorin e ndërmarrjes publike ‘Rrugët Shtetërore’, z. Ejup Rrustemi.
Si çështje kryesore në takim u diskutua për krijimin e marrëveshjeve të përbashkëta në mes të dy qeverive në fushën e infrastrukturës, veçanërisht për investimin e përbashkët të ndërtimit të autostradës Prizren – Tetovë.
Lidhjet e rëndësishme infrastrukturore mes të dy vendeve tona, përkatësisht autostrada Prizren – Tetovë dhe autostrada Shkup – Bllacë, përveç se shkurtojnë ndjeshëm rrugën mes qyteteve tona, i shtojnë edhe mundësitë ekonomike për to dhe krijojnë potenciale të mëdha turistike për të dyja vendet.
Në fund, u dakorduam që të intensifikojmë takimet për arritjen e qëllimit të përbashkët që e kemi” thuhet në postimin e ministrit Liburn Aliut.