Drejtoresha e shkollës në Gjakovë i reagon Duda Baljes: Mos nxitni urrejtje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si deputete

Drejtoresha e shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, pasi kjo e fundit tha se krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, është vrasje e të drejtës së besimit.

Drejtoresha e shkollës i quajti komentet e Baljes paragjykuese, tendencioze dhe linçuese, duke e ftuar deputeten që ta lexojë udhëzimin administrativ të MASHT-it.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar drejtoresha në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

“Andaj, iu ftoj që të mos humbeni kohë duke nxitur urrejtje e përçarje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nëse e konsideroni problematike këtë çështje ndërrojeni udhëzimin administrativ. Të cilin unë natyrisht se do ta respektoj dhe përmbush në përpikëri, sikur çdo ligj dhe udhëzim administrativ tjetër që e respektoj maksimalisht gjatë punës sime”, u shpreh tutje ajo.

“Pra ju mund të manipuloni për llogari e vota tuaja, të më sulmoni, mund të nxiteni çfarëdolloj fushate të dhunës e urrejtës ndaj meje, sikur se tashmë e shkaktuat me linçimin tuaj publik ndaj meje, por duhet ta kuptoni një gjë elementare: Thjesht po e respektoj dhe do ta respektoj udhëzimin administrativ të MASHT-it 06/2014, deri sa i njëjti të jetë në fuqi”.

“Ndërsa ju, e nderuara deputete e Kuvendit të Kosovës, si kryesuese e Komisionit për të Drejtat e Njeriut e Barazi Gjinore, dy vlera demokratike të larta, mbase do të duhej të angazhoheshit në respektimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave Kushtetuese të secilit qytetar, e jo të humbnit kohë në sulme e nxitje të urrejtës ndaj meje, pse unë po e kryej me përpikëri detyrën time bazuar në ligjet që i votoni ju në Kuvend të Kosovës”.

Tutje drejtoresha tha se do t’i drejtohet autoriteteve të sigurisë, për atë që e quajti, fushatë e kërcënimeve.

“Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, përfundoi drejtoresha Gjergjaj.