Drejtoresha e Klinikës Infektive: 94-vjeçari e pret testin e dytë negativ, por ka pasur edhe tragjedi të mëdha familjare

Drejtuesja e Klinikës Infektive Milena Stevanoviq, në një intervistë për “24info” ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira për shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut, në kushte të pandemisë.

Ajo tha se për momentin në klinikë ka të hospitalizuar 100 pacientë, ndërsa më i moshuari është 94-vjeçar, i cili e pret testin e dytë negativ për t’u lëshuar më pas në shtëpi si i shëruar.

Stevanoviq tha se ditën në klinikë e fillon në takim me kolegiumin dhe referim për pacientët, gjendjen e të hospitalizuarve dhe numrin e pacientëve në klinikë.

“Mundohem të jem në kontakt me të gjithë të punësuarit në klinikë dhe t’i ndjek nevojat dhe shqetësimet e tyre në lidhje me punën. Shumë nga punët tani janë rutinë dhe nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha. Deri tani në Klinikën për Sëmundje Infektive ka pasur 540 pacient me COVID-19. 100 prej tyre e kanë humbur betejën me sëmundjen”.

“Pacienti më i ri ka qenë foshnje katër mujore, e cila është shëruar dhe lëshuar në shtëpi. Ndërsa pacienti më i moshuar është 94-vjeçar, për të cilin e presim testin e dytë negativ dhe të lëshohet në shtëpi. Gjatë kësaj pandemie kemi parë shumë dhimbje dhe tragjedi të mëdha familjare, kur thuajse e gjithë familja janë hospitalizuar dhe shumica prej tyre e kanë humbur betejën me coronavirusin. Por, ka pasur raste edhe kur shumica e anëtarëve të familjes janë shëruar dhe padyshim gëzimi ka qenë i madh”, tha mjekja Stevanoviq.

Ajo shtoi se personalisht ka frikë nga sëmundja, por kjo e bën që të jetë më e kujdesshme dhe gjatë gjithë kohës të mbajë pajisje mbrojtëse.

Në lidhje me personelin mjekësor, ajo tha se mungesa e tyre është problem serioz në gjithë sistemin shëndetësor dhe kjo mungesë vërehet edhe gjatë kësaj periudhe.

“Kemi ndihmë të madhe nga motrat medicinale dhe teknikët nga gjithë shteti. Entuziazmi i tyre dhe profesionalizmi janë freski serioze për forcat tona”, tha Stevanoviq.

E pyetur për protokollin për kurim, ajo tha se ka protokoll kombëtar i bazuar në protokollet botërore të qendrave të mëdha ku trajtohen pacientë me COVID-19. Ajo shtoi se ky protokoll në vazhdimësi ndryshohet dhe plotësohet, duke përfshirë edhe praktika nga klinika.