Dragi Rashkovski jep dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë


Dragi Rashkovski përmes një letre drejtuar kryeministrit Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga pozita e Sekretarit për Monitorimin dhe Mbështetjen e Institucioneve në zbatimin e programeve të punës së Qeverisë, transmeton Alsat. Ndryshe, gjatë ditës së djeshme është publikuar një hulumtim, ku u zbulua se familja Rashkovski tashmë ka nisur punimet për ndërtimin e një pallati luksoz në fshatin Pobozhje.

Familja Rashkovski do të ndërtojë pallat luksoz në fshatin Pobozhje
“Kur politika (politizimi) bëhet më e zhurmshme se shkencat natyrore, atëherë atmosfera e punës bëhet e papërshtatshme për dikë që është mësuar të kërkojë logjikën në gjithçka. Prandaj po ju paraqes këtë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve gjatë realizimit të programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe të projekteve strategjike. Roli im si në këtë pozicion ashtu edhe në pozicionin e mëparshëm si Sekretar i Përgjithshëm ishte që t`i jepja një dimension të ri dinamik jetës shoqërore”, thuhet mes tjerash në letrën e Rashkovskit drejtuar kryeministrit Zoran Zaev.