Dr. Valvita Reçi, doktoroi me 100 pikë maksimale në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë

Maqedonisë së veriut iu shtua edhe një doktor i shkencave mjekësore në fushën e anatomisë. Në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Asst. Dr. Valvita Reçi, oftalmologe me profesion, e mbrojti me sukses dhe me pikë maksimale dizertacionin e doktoraturës dhe mori titullin e lartë shkencor dhe akademik ”Doktor i Shkencave të Mjekësisë” duke u bërë femra e parë shqiptare doktorante në fushën e anatomisë në Maqedoninë e veriut.

Dizertacioni i doktoraturës me temën “Karakteristikat mikromorfologjike të arterieve perforante të segmentit M1 të arteries së mesme trunore – arteriae lentikulostriatae” u cilësua nga komisioni si një temë e rrallë në regjionin tonë por edhe më gjërë, e punuar me seriozitet dhe profesionalizëm të lartë nga ana e kandidates. Theks të veçantë komisioni vendosi në metodologjinë e punimit si e vetmja temë e pastër anatomike në trojet shqiptare e punuar me metodën e mikrodiseksionit në arteriet e trurit të njeriut, që e bën të veçantë këtë studim. Kandidatja në fjalë gjatë studimit të saj ka bashkëpunuar me laboratorin e anatomisë vaskulare pranë Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.
Dr. Valvita Reçi rrjedh nga një familje intelektuale, ku babai i saj tashmë i ndjerë, ishte mjek pediatër i njohur dhe i respektuar në Strugë dhe më gjërë.

Fakultetin e mjekësisë dr. Valvita e kreu në Universitetin e Prishtinës, ku tregoi sukses jashtëzakonisht të lartë gjatë studimeve dhe për atë arsye u zgjodh studentja më e mirë e gjeneratës me çka e mori çmimin “Student i dalluar” në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në tetor të vitit 2019 e kreu me sukses specializimin e oftalmologjisë në Klinikën Universitare për sëmundjet e syve në Shkup me çka së bashku me doktoraturën në Tiranë ajo plotësoi trekëndëshin shqiptar të formimit të saj akademik Prishtinë-Shkup-Tiranë.

Aktualisht është asistente e anatomisë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës dhe poashtu e punësuar si specialiste oftalmologe në Klinikën Universitare për sëmundjet e syve në Shkup. Dr. Valvita Reçi edhe pse në moshë të re ka karrierë të pasur profesionale. Gjatë karrierës së saj ajo ka publikuar një numër të madh artikujsh shkencor nga fusha e oftalmologjisë dhe e anatomisë si në vend ashtu edhe jashtë dhe poashtu ka qenë pjesëmarrëse në kongrese të shumta ndërkombëtare regjionale dhe europiane.