Dr.Panovski: Pse të lehtësohen masat, kur ka rritje të rasteve

Mikrobiologu prof.dr. Nikolla Panovski theksoi se pse po lehtësohen masat në Maqedoninë e Veriut kur ka rritje të rasteve të të infektuarëve me koronavirus.

Ai në studion e hapur në TV24 theksoi se heqja e orës policore në tërë territorin e vendit është pranim i humbjes dhe se sipas tij, duhet të ndërmerren masa për në komunat Saraj, Çair dhe Aerodrom, ku janë shfaqur vatra të reja të të infektuarëve, përcjell INA.

“Për mua është e papritur, duke e vlerësuar këtë nga aspekti mjekësor dhe nuk shoh arsye se përse tani janë lehtësuar masat, kur po rritet numri i rasteve aktive. Ashtu që masat e tilla nuk janë të arsyetueshme”, theksoi Panovski.

Sipas tij, shkurtimi i orës policore duhej të ndodhte edhe më përpara duke shkuar deri në orën 21 apo 22. “Kufijt nuk e di se për kë po hapen, 1 qershori është shumë herët dhe se askush nuk do të na pranojë të shkojmë dikund më 1 qershor. Për mua është frikësuese se përse është e nevojshme që përnjëherë të hiqet ora policore”, theksoi profesori i njohur universitar i mikrobiologjisë.

Sipas tij, tanimë pas 3 muajve do të kemi tubime dhe takime të të rinjve, që kthehen nëpër shtëpitë e tyre në 5 të mëngjesit dhe çka do të ndodhë kur ata do të pijnë në të njejtën gotë, apo do të marrin marihuanën e njejtë, apo cigaren e njejtë. “Ata kështu mund të sjellin simptomet nëpër shtëpitë e tyre tek prindërit dhe gjyshërit. Ky është shqetësimi im”, theksoi Panovski.