Dr. Liridon Disha jep informata të rëndësishme për Coronavirusin!

Të dashur miq,

Për shkak të panikut që mbretëron në popullatë në lidhje me Coronavirusin, mua si profesionist shëndetësor më mbetet të ju jap ca info të vogla për këtë sëmundje ngjitëse virale “të popullarizuar” kohëve të fundit.
Është e vërtetë se është shumë kontagjioz (ngjitës) dhe përhapet njëlloj (ngjajshëm) si virozat tjera. Ka simptomatologji të ngjajshme me gripin sezonal dhe sipas asaj që kam lexuar dhe jam informuar unë, gripi sezonal është shumë më vdekjeprurës (në rang global) se sa Coronavirusi deri më tani.
Të infektuarit me Coronavirus mund të kenë:
1) 81% simptoma të lehta (rrjedhje hundësh, temperaturë të ngritur trupore, plogështi, dhimbje muskujsh e nyjesh etj…)
2) 14% zhvillojnë simptoma më të rënda (simptomat e lartëpërmendura janë më të theksuara, nganjëherë edhe me pneumoni)
3) 5% zhvillojnë simptoma shumë të rënda (rrezik jete)

Sipas kësaj vetëm 5% e popullatës (kryesisht personat me komorbiditete (shumllojeshmëri të sëmundjeve tjera), të moshuarit në moshë të shtyer (mbi 80 vjet), personat me imunitet të kompromituar (ata me kancer dhe persona që përdorin kortikosteroide për një kohë të gjatë për shkak të sëmundjeve sistemike)) janë të prirur për të qenë të rrezikuar për vdekje. Edhe pse gjithmonë ka përjashtime.

Kjo është arsyeja pse Coronavirusi nuk duhet nënçmuar, por as edhe të krijohet fobi e panikë për shkak të prezencës së tij. Coronavirusi është i ngjajshëm me gripin sezonal i cili njëlloj merr jetë njerëzish të kategorive të caktuara (5% të përmendur më lartë).

Është e rëndësishme të mbani higjienë personale, të lani duart me sapun dhe dezificentë të tjerë që gjenden në treg. T’i shmangni vendet me shumë njerëz (tregjet, qendrat tregëtare, spitalet… etj), t’i evitoni vendet ku ka mundësi reale të infektoheni.

Njerëzimi ka kaluar sëmundje ngjitëse edhe më të rënda në të kaluarën dhe nuk është gjunjëzuar kurrë. Edhe kjo storie ska si të jetë ndryshe.

I juaji
Dr. Liridon Disha