Dr. Agron Abrashi: Nëse njerëzit me gjykim të shëndoshë nuk e kanë kuptuar gjer më tani seriozitetin dhe rrezikun e kësaj pandemie, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër përveç vaksinimit të detyruar
Pas një kohe të gjatë të debateve për pandeminë e koronavirusit në përgjithësi, gjatë dy muajve të fundit kemi një intensifikim të debatit mbi vaksinat dhe vaksinimin, në veçanti. Kjo lidhet me avansimin që sidomos gjatë muajit nëntor u arrit në prodhimin dhe testimin e disa vaksinave. Në këtë kontekst, debati që po zhvillohet aktualisht lidhet me dilemat: të merret apo të mos merret vaksina. Këtu ka pak hezitim të kuptueshëm, kur dihet se lejimi i vaksinave nga autoritetet përkatëse është bërë në njëfarë “procedure të shkurtuar”.
Deri më tani janë proklamuar si të licencuara të paktën 3 vaksina të ndryshme kundër koronavirusit. Cili është mendimi juaj: A është ndjekur procedura normale e paraparë për licencimin apo certifikimin e këtyre vaksinave?
Dr. Agron Abrashi: Deri më tani janë 14 kompani në fazën III të hulumtimit të vaksinës kundërCovid-19. Nga këto kompani, Biontech/Pfizer, Moderna dhe Astra Zeneca kanë kompletuar Fazën III të hulumtimit sipas procedurave të parapara me ligj për aprovimin e vaksinës. Britania e Madhe është vendi i parë që ka bërë aprovimin e aplikimit të vaksinës me procedurë urgjente, Biontech/Pfizer me datën 2 dhjetor 2020, dhe ka filluar vaksinimin e 800 000 personave të planifikuar për fazën fillestare. Dhjetë ditë më pas, Amerika është vendi i dytë që po ashtu me procedurë urgjente ka aprovuar vaksinën e njëjtë. Kanadaja është vendi i tretë, e kështu me radhë. Pra, për sqarim, procedimi i hulumtimit është bërë „lege artis“ me fazën preklinike, Fazën I-III, dhe faza e IV vjen pas fillimit të aplikimit (faza e përcjelljes klinike) Vetëm procesi i aprovimit është bërë me procedurë të shpejtë (urgjente)
Zvicra nuk e ka këtë mundësi ligjore të aprovimit të shpejtë të vaksinave dhe medikamenteve, por pritet që gjatë këtij muaji ose në fillim të janarit 2021, do të kemi aprovimin e vaksinave të lartpërmendura.
Në këtë kuptim, a jeni ju për atë që vaksinimi të jetë i detyrueshëm?
Nëse njerëzit me mendje dhe gjykim të shëndoshë nuk e kanë kuptuar gjer më tani seriozitetin, humbjet, pasojat dhe rrezikun e kësaj pandemie, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër përveç vaksinimit të detyruar. Po flasim këtu për rrezikimin e shëndetit të familjes e të të afërmve tanë e të gjithë shëndetit publik botëror. Këtu nuk kemi të bëjmë me lirinë e vendosjes individuale, personale, përderisa rrezikohet shëndeti dhe jeta e popullsisë në tërësi. Për sqarim në Zvicër nuk kemi ende bazë ligjore për obligim vaksinimi