Dosja: ‘Ama gojën ta puthi”, mjeku dënohet me 3 vjet burg

Gjykata e Mitrovicës ka dënuar me 3 vjet burg mjekun pediatër nga Vushtrria, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një grua. Sipas vendimit, i akuzuari N.R, më 12 dhjetor 2010, rreth orës 22:00 duke punuar në Repartin e Pediatrisë e ka prekur me qëllim seksual e me forcë një grua, e cila ka qenë me fëmijën e saj 14 muajsh të shtrirë në një dhomë të repartit.

Sipas Gjykatës, N.R, i ka thënë gruas “ama gojën ta puthi”.“Është afruar e me forcë ja ka qit dorën e djathtë mbi krahun te qafa e të dëmtuarës e i ka thënë “ama gojën ta puthi” me ç’rast e dëmtuara ka bërtitur dhe e ka shtyrë të pandehurin, ku i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuarës të mos i tregoi askujt por se e dëmtuara e ka thirrur bashkëshortin e saj e i ka treguar ndërsa i njëjti e ka lajmëruar policinë”- thuhet në vendim. Për këtë vepër penale, të pandehurin N.R. gjykata e ka dënuar me 3 vjet burg, thuhet në vendimin e publikuar më 7 tetor 2022.

“Të pandehurit koha e kaluar në paraburgim nga data 12.12.2010, e deri me datë 31.12.2010, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 31.12.2010, e deri me datë 11.02.2011, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar” – ka njoftuar Gjykata. Prokurori i shtetit Jovo Radovic në fjalën përfundimtare ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor në tërësi janë vërtetuar thëniet e aktakuzës se i pandehuri ka kryer veprën penale.