Dorëzohet qeveria, do të shqyrtohet mundësia për heqjen e izolimit për mërgimtarët

Nga dje u hapën të gjitha vendkalimet kufitare tokësore për hyrje në Maqedoninë e Veriut, por izolimi prej 14 ditëve mbetet pengesë për ardhjen e mërgimtarëve nëpër shtëpitë e tyre. Ministri i ekonomisë Kreshinik Bekteshi thotë se Qeveria do ta rishqyrtojë mundësinë e heqjes së kësaj mase për personat që kanë teste PCR negative të Covid-19.

“Ne do ta rishqyrtojmë këtë vendim të cilin e kemi miratuar me propozim të Komisionit, por është me rëndësi që të theksohet fakti që pikërisht në periudha të pandemive të tilla ne si qeveri është shumë me rëndësi që të miratojmë propozimet e komisionit, sepse është institucioni më i thirrur në raste të tilla, duke u bazuar në aspektin shkencor, mbi të cilin ato i sjellin propozimet,” tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Mërgimtarët kanë pritur një vit, e tani familjarët dhe vendlindjen e tyre nuk mund ta vizitojnë, shkaku i detyrimit për izolim dyjavor.

“Ne të vijmë atje, t’i humbim 14 ditë, ditët me të numëruar që i kemi, është… nuk e di si ta quaj, me të vërtetë e pakapshme,” tha Lirim Alija, Itali.

“Për testin nuk është problem por puna e karantinës është më shumë,” tha Jasmina Berzati, Itali.

Ndonëse Ministria e Ekonomisë nuk ka të dhëna se sa mund te jenë humbjet nëse mërgimtarët nuk vijnë, Bektheshi thotë se ata harxhojnë qindra milionë euro gjatë pushimeve verore në vendin tonë.

“Sa i përket viteve të kaluara ne mund të themi që shifrat të cilat në bazë të remitencave i kemi nga ana e mërgimtarëve tejkalojnë qindra milionë euro, të cilat janë shumë me rëndësi për mirëqenien e një pjese të qytetarëve në vendin tonë por njëkohësisht në përgjithësi edhe për ekonominë dhe në veçanti për kompanitë mikro dhe të vogla të cilat drejtpërdrejt janë të varura nga mërgimtarët gjatë ardhjes së sezonit veror,” tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Për mërgimtarët është e palogjikshme që pushimin vjetor ta kalojnë në izolim, andaj shumica prej tyre druajnë që të nisen për në Maqedoninë e Veriut.

Bekteshi tha se nëse qytetarët sillen me përgjegjësi, i respektojnë masat, mbajtjen e mjeteve mbrojtëse dhe distancën, qeveria do të propozojë heqjen e këtyre masave.