Dorëzohet Labi pas vendimit të ri të qeverisë: Leni dasmat për vitin tjetër

Me vendimin e sotëm të Qeverisë, ndalohen tubimet me më shumë se 50 persona. Për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19 në vend, Qeveria ka marrë masa të reja.

Një prej vendimeve që sot është marrë nga Qeveria Hoti është ndalimi i tubimeve me më shumë se 50 persona.

Me këtë nënkuptohet se nuk do të lejohet mbajtja e dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare.

Labinot Tahiri, tha se do ta respektojë këtë vendim dhe nuk do të dalë më në protesta, ngase herën e kaluar nuk e kishte përkrahjen e kolegëve.

“Unë veç i sugjeroj dasmorët le t’i qesin dasmat vitin e ardhshëm ose kurdo që bëhet mirë. Më keq nuk ka ku shkon. Sa i përket protestave dhe këtyre gjërave nuk do të dalë me u marrë, sepse herën e kaluar kur unë u ngrita në këmbë 70 për qind e artistave ose “VIP” që janë në Prishtinë e tërë Kosovën nuk dolën për kauzën e vet. Tash le ta mbajnë si barrë këtë vendim të Qeverisë, që nuk ka as mbrëmje e as dasma. Kështu që veç urime vendit, inshallah shërohen qata që kanë virus, edhe u priftë e mbara krejt familjeve që për momentin janë në krizë të madhe”, tha Labi.

Ai tha se vendimin do ta respektojë dhe për momentin nuk e ka virusin, por nëse ekziston mund të infektohet me të.

“I pari do ta respektoj, për arsye se shteti është mbi të gjitha, unë nuk kam pasë virus e as nuk kam për momentin. Mundet me më kapë nëse ekziston, por për momentin nuk kam kurgjë. Çfarëdo vendimi që merr Qeveria unë e respektoj sepse jam i pari iniciator i protestave. Por, nuk do të merrem as me protesta e as nuk do ta ngris zërin”, shtoi Labi.

Këngëtari thotë se do të ketë krizë të madhe pas anulimit të dasmave dhe mbrëmjeve rinore.

“Le ta ngrisin zërin ata që nuk dolën në protestën e kaluar e le ta mbajnë tash krizën ma të madhe që ka me ardhë në vazhdimësi, që kanë me u anulu krejt dasmat e mbrëmjet rinore që i kanë pasë këtu e në perëndim”, deklaroi ai.

Tahiri tha se do të shkojë sërish në Ulqin që të relaksohet dhe do të vazhdojë me aktivitetet humanitare.

“Kështu që unë jam mirë, edhe sot do të nisem për Ulqin, shkoj pushoj atje relaksohem. Normalisht, pa i ndërpre kurrë aktivitetet humanitare. Pata s’pata punë unë do të vazhdoj”, përfundoi artisti.

Në anën tjetër, këngëtari Afrim Muçiqi në një prononcim për lajmi.net deklaron se do të vazhdojë me datat që i ka të caktuara.

“E dëgjova live, nuk u përmenden as ahengjet as dasmat. Ne do të vazhdojmë t’i mbajmë dasmat me 50 persona. Nuk do t’i ndalojmë edhe nuk do të ketë mundësi që të ndalohen sepse është shkelje e të drejtave të njeriut, edhe shkelje e të drejtës së privatësisë së njerëzve, kështu që kur ka mundësi që të punojnë të gjitha, nuk e di se si do të zhvillohet ky plan i mirëmbajtjes së këtyre vendimeve, për arsye se nëse lejohen në qendrat tregtare të futen 2-3 mijë njerëz në ditë, atëherë edhe ne do të fillojmë dasmat me 50 persona”, tha Muçiqi për lajmi.net.

Këngëtari Asim Gashi, i cili ka pak kohë që ka nisur mbrëmjet muzikore, thotë se nëse është marrë një vendim i tillë, atëherë duhet të respektohet.

“Nëse është marrë një vendim i tillë, duhet ta respektojmë”, tha Gashi për lajmi.net.

Alban Sejdiu, nga grupi “Babo Darabuka” në një prononcim për lajmi.net tha se “Përderisa lejohen organizimet e protestave ose grumbullimet nëpër qendra tregtare me numër aq të madh, nuk shoh arsye pse mos të performojmë edhe ne nëpër mbrëmje të ndryshme”.

Ai thotë se në lokale janë marrë masat mbrojtëse, ndërsa në dasma mysafirët shkojnë me listë, andaj edhe nëse dikush infektohet është më lehtë të identifikohet.

“Sigurisht, çdo lokal së pari për sigurinë e vet dhe të klientëve të vet është marrë me dezinfektimin dhe me kufizimet e tjera që janë caktu. Nëpër dasma së pari mysafirët vinë me një listë që do të thotë nëse dikush mund të jetë i infektuar munden me u lokalizu personat e infektuar. Mandej, personat që janë me ndonjë sëmundje, zakonisht nuk vinë në dasma”, tha Sejdiu.

Ai mori shembull Zvicrën që kanë liruar shumë masa dhe mendon që nuk duhet të anulohen organizimet e tilla në Kosovë.

“Në Zvicër për shembull, të gjitha klubet veçse kanë filluar punën e tyre. Ndoshta mund të jem gabim, por kur lejohen organizime aq të mëdha e këto të anulohen, dasmat nuk kanë numër 500-5000 persona, munden t’i kenë 200-300”, deklaroi Albani.

Ai thotë se nëse shteti vendos të mos i lejojë me punu gastronomët, duhet t’i mbështet ngase edhe ata kanë obligime.

“Edhe ne kemi obligime dhe mbajmë familjet tona. Paguajmë tatime dhe nuk kemi profesion të dytë që mundemi me punu diçka tjetër”, përfundoi Sejdiu.

Se a do të ndryshohen këto masa nëse numri i të infektuarve bie në ditët në vijim, mbetet të shihet.