Dorentina, automekanikja e parë në Kosovë që sfidoi mentalitetin tradicional mbi femrën

Dorentina Qerimi është automekanikja e parë në Kosovë. Ajo që prej tetë muajsh punon në servisin e automjeteve “Eurogoma” në Shkabaj.
Pasioni i Dorentinës për këtë punë ka nisur qysh kur ajo ishte e vogël.
“Kam pasur edhe shumë profesioni tjera por në këtë të automekanikut më rreh më shumë zemra. Këtë punë e bëjë me shumë vullnet…Më herët këtë punë e kam punuar me babin në Ferizaj te servisi i familjes por tash kam ardhur te “Eurogoma”. Në kohën e fëmijërisë tim kukulla nuk kam pasur dhe lodrat e mia kanë qenë çelësat e mjetet tjera të punës. Kam qenë krahë i djathtë i babit, por edhe ai më ka dhënë shumë përkrahje”, deklaroi për Detsche Wellen, Dorentina Qerimi.

Paragjykimet ndaj saj ishin të mëdha pasi femrat nuk rregullojnë automjete në Kosovë. Mirëpo angazhimi dhe përkushtimi i saj në punë e bënë atë që t’ia arrijë qëllimit.
“Sfida kam pasur shumë, sidomos në ambientin e Kosovës ku mentaliteti është shumë i dobët. Kam pasur shumë kritika e fjalë jo të mira. Por, sot ku punojë në “Eurogomë” klientët presin në radhë te unë për t’i bërë veturat servis.

Sfidat për Dorentinën ishin të shumta. Edhe mbikëqyrësi i saj Sherif Bajrami në fillim kishte hezitim për t’ia besuar punën asaj.

“Normal që kemi hezitua pasi gjeometria është punë shumë e ndjeshme. Është shumë e vështirë t’ia beson këtë lloj pune dikujt. Për një kohë shumë të shkurtër Dorentina e ka treguar veten që është një person shumë i besueshëm. Ajo e kryen punën me shumë vullnet dhe bënë një punë shumë të shkëlqyeshme. Kështu që sot për sot, unë jam në gjendje me i besu çdo lloj veture asaj për t’ia bërë gjeometrinë”, shprehet Sherif Bajrami.

Klientët e saj tashmë kanë besim të plotë në punën që bënë Dorentina, e që këtë besim nuk e kishin në fillim.
“Unë prej disa vitesh i bëjë servis veturat të “Eurogoma”. Dorentinën e kam parë çfarë pune bënë dhe nuk hezitoj me ja pru veturën për servis”.
Dëshira e Dorentinës është që vajzat dhe gratë tjera që e duan këtë punë të mos ndalen derisa të realizojnë ëndrrat e tyre.