Dorëheqjet e sotme të ministrit dhe zëvendësministrave të Lëvizjes Besa, çka do të ndodhë tutje?


Arjanit Hoxha është dorëhequr nga posti i Ministrit të Bujqësisë sikur edhe dy zëvendësministrat e Lëvizjes BESA, ai i Arsimit, Arafat Shabani dhe i Kulturës Sedat Sulejmani.

Hoxha deklaroi se dorëheqjet janë dhënë me vendim të partisë, ndërsa arsyeja është cenimi i demokracisë nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim metoda manipuluese.
Duke drejtuar akuza ndaj BDI-së e në veçanti nga zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, Hoxha tha se lëvizja BESA nuk mund të identifikojë veten me një partner si BDI-ja që përdor të gjitha mjetet për të mbetur në pushtet.“Nëse në vitin 2016 është rrëzuar një regjim, ndërsa një pjesë tjetër e regjimit nuk u arrit të rrëzohet por iu dha shansi të reformohet, sot pas 5 viteve u dëshmua se ata jo vetëm që nuk janë reformuar, por kanë perfeksionuar metodat e tyre të një regjimi klasik. Vendimi për dorëheqjen është akt moral por edhe duke respektuar organet partiake të Lëvizjes BESA”, ka thënë Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Hoxha tha se partia do të diskutojë për veprimin e mëtejmë të saj por tha se prioritet kryesor mbetet largimi i BDI-së nga pushteti dhe se për këtë BESA është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha partitë opozitare përfshirë edhe Alternativën. Sipas tij, vetëm të bashkuar BDI-ja do të mund të largohet nga pushteti. “Absolutisht për ne nuk ka asnjë problem, sa i takon Alternativës u takon ata të shprehen. Shansi është historik. Kjo mundësi që na u dha për ta rrëzuar BDI-në ishte sinjali që ti tregojmë popullatës se vetëm të bashkuar mund ta rrëzojmë BDI-në. Çdo veprim tjetër që do të ndodh në të ardhmen, se kushdo që të hyjë në këto rrethana me këta njerëz të BDI-së që janë në pushtet, besoj se vetëm do ta ndihmojë mbajtjen e BDI-së në pushtet dhe ky nuk është qëllimi i Lëvizjes BESA”, theksoi Hoxha.
Dorëheqjen dhe largimin e Lëvizjes BESAA nga qeveria Hoxha e paralajmëroi pas rrethit të dytë të zgjedhjeve në Zhelinë e cila ishte fituar nga kjo parti, por më pas zgjedhjet u anuluan në një vendvotim dhe për këtë BESA kishte akuzuar BDI-në./