Dona tregon eksperiencën nga ferri gjatë lindjes në Spitalin e Tetovës! …

Dona tregon eksperiencën nga ferri gjatë lindjes së saj në Spitalin e Tetovës, ajo shkruan në fejsbuk: “Historia ime.
1 korrik, 2021. Vendngjarja, spitali famëkeq në Tetovë.
Kisha të caktuar operacion cezarian në ora 7 të mëngjesit. Frikë, emocion, as nuk e imagjinoja se çfarë tmerri do të pasonte.
Anestezion spinal, unë e zgjuar, gjatë gjithë kohës përcjell çfarë po ndodh. Foshnjën e nxorrën për shkurt kohë, e dëgjova si qante dhe e larguan menjëherë. Pritja të më qepinin, dhe aq. Por jo. Dëgjoj se diçka nuk shkon si duhet. Dëgjoj që assesi nuk mund ta ndalin gjakderdhjen. Kthehem në të majtë, shoh një mal fashash me gjakun tim, filloj të kem marramendje dhe të më errësohen sytë, dhe qaj e i lus të më shpëtojnë. I dëgjoj si vrapojnë dhe sjellin qese me gjak nga transfuziologjia. E luta njërën nga motrat të ma mbante dorën, të mos ndihem aq e vetmuar dhe e frikësuar, të më ngushëllojë pak. E luta anesteziologun të më ngushëllojë se do të bëhem mirë. I luta të gjithë të pranishmit të më thonë diçka pozitive, një lajm të mirë. Tri orë. Tmerri vazhdoi tri orë të plota dhe unë gjatë gjithë kohës isha e zgjuar dhe e tërë jeta ime më kaloi para syve. Pas tri orëve, dëgjova “hajt mbylle më, nuk ka më gjakderdhje”. Unë gjysëm e vetëdijshme, nuk kam fuqi, por nuk dua ta humb vetëdijen.

Më çuan në shok-dhomë, ku gra që sapo kishin lindur hynin e dilnin çdo ditë, ndërsa unë qëndroja në të njëjtin krevat pa asnjë përmirësim, nuk guxoja të ha, nuk guxoja të pi. Përse, nuk kisha përgjigje. Mëngjesin e ardhshëm filloi tmerri edhe më i madh. Fillova të villja çdo 30 minuta. Qaja, e frikësuar, i pyesja përse villja, çfarë po më ndodhte, motrat më thonin “e ke nga anestezioni, normale është.”
Dita e tretë. Unë gjithnjë e më e dobët, akoma vjell, por njëkohësisht barku më bëhet i fortë, i tëri me gunga. Kërkoj ndihmë, kërkoj përgjigje. Kam studiuar në fakultetin e mjeksisë dhe e dija që diçka e keqe po më ndodhte, por habitesha se si aq shumë mjekë dhe motra rreth meje, që pohonin se nuk kam asgjë, që zorrët i kisha përtace, që kam GASTRIT, (po, e dashur mjeke, akoma i ruaj SMS porositë ku më ngushëlloje që kam gastrit dhe do të më kalojë).

Nuk kisha asgjë? Ju kërkoj ndjesë lexuesve për këtë që do të lexonim por ka një shprehje në mjekësi, quhet mizerere. Kjo është kur zorrët nuk punojnë, dhe jashtëqitja del përmes gojës. Villja fekale. Mjekët më shikonin dhe më thonin që nuk kisha asgjë, veç gastrit. Mjekja e dashur përgjegjëse për operacionin cezarian më jepte çajra bimorë e më vendoste shishe të nxehta në stomak. Mjeke, nëse je duke e lexuar këtë, dhe je, kam fotografi të gjithçkaje. Kam qenë e dobët, por kam luftuar. E dija çfarë po më ndodhte dhe e dija që do të kisha nevojë për dëshmi.
Dita e katërt. Gjendja është akoma më e rëndë. Lutem për ndihmë dhe më në fund dikush pati mëshirën ta thirrte dikë më kompetent dhe të më vinin sondë nazogastrike për ta zbrazur përmbajtjen e lukthit e për të pritur zorrët të normalizohen. Përmes kësaj sonde më nxorrën plot 5 litra lëngje nga lukthi. Urgjentisht rrezatim X- me karrocë invalidësh, atëherë më nuk isha në gjendje as të lëvizja. Infuzione, ilaçe, nuk kisha venë që nuk e kisha të shpuar. Tash më fillova të shoh frikë edhe te ata. Nëna ime, bashkëshorti, e gjithë familja dhe miqtë në këmbë, vrapojnë, kërkojnë shpëtim, i lusin të më dërgojnë në Shkup.
Por krahas gjithçkaje, më mbajtën edhe një natë. Më thanë se je shumë nervoze, do të të japim dijazepam të flesh, nuk ke asgjë.

Atë natë e luta Zotin ta mbërrij mëngjesin. E dija që shpëtimi më priste në Shkup. Por atë natë, nuk isha e sigurtë nëse do të mbahesha deri mëngjesin e ardhshëm. Por lutesha. Dhe ia dola.
Në mëngjes me urgjencë më dërguan në Shkup me automjet të ndihmës së shpejtë, ndërsa mjekja e dashur na përcolli me fjalët “nëse nuk e pranojnë në Shkup, mos ma ktheni këtu, nuk kam çfarë i bëj”. Si bën gjumë natën “mjeke”?
5 korrik. Më pranuan në Shkup, tanimë në gjendje gjysëm të vetëdijshme. Incizime urgjente, infuzione urgjente, dhe në fund operacion urgjent.
U zgjova ditën e ardhshme, por me një plagë të madhe në abdomen dhe nuk e dija çfarë kishte ndodhur. Më thanë që më kishin bërë histerektomi, që do të thotë, nxjerrje të mitrës, për shkak se ka qenë e nekrotizuar, pra e kalbur.

Po, në Tetovë 5 ditë të plota më kanë mbajtur me nekrozë në mitër, në prag të sepsës, më mjekonin me çaj mente dhe rozmarinë. Vetëm Zoti dhe dy mjekët në Shkup që më operuan më shpëtuan dhe janë arsyeja pse tani jam këtu duke e shkruajtur këtë dhe fëmija im ka nënë.
Nuk dua t’ua përmend emrat, nëse e lexojnë këtë do ta dijnë kush janë, dhe dua t’u them dy mjekëve dhe të gjithë ekipit të kirurgjisë abdominale dhe kirurgut që i falënderoj përjetësisht.
Foshnjën time për herë të parë e pashë pas 12 ditëve, dola nga spitali 15 kg më e dobët, me hematom në secilën venë, me dy plagë të mëdha në bark, nuk mund të lëvizja vetëm, nuk mund të lahesha vetëm, nuk mund të bëja asgjë, por kaloi.
Më është dashur kohë të jem e gatshme të flas për këtë temë dhe derisa e shkruaja këtë tekst m’u desht të përjetoj gjithçka përsëri e të kem të përziera, ndoshta kam gabime në kontinuitetin e rrëfimit, por ka kaluar shumë kohë dhe shumë gjëra i kam shtypur e varrosur thellë. Por e kisha patjetër ta nxjerr këtë nga vetja.
Me këtë tekst po i vendos fund kësaj historie dhe po e filloj procesin e harresës së kësaj traume.
Dhe po, kini kujdes para se të zgjidhni mjek, pyesni 100 herë nëse duhet, për të shmangur golgotë të këtillë.

Dona Nedelkovska ”

<a href="http://”>