Don Lush Gjergji i përgjigjet hoxhës: “Askush në botë s’mund të krahasohet me Nënën Terezë”

Një deklaratë e Hoxhës Husamedin Abazi, e dhënë në Pressing, ku tha se Nëna Terezë nuk është vlerë nacionale dhe se nëpër institucione më mirë është të vendoset fotografia e Mulla Idriz Gjilanit, ka ngjallur reagime. Kësaj deklarate të Abazit, i ka dhënë përgjigje Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës.

Në një prononcim Don Gjergji ka thënë se askush në botë s’mund të krahasohet me Nënën Terezë.

Sipas tij, Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin.

“Çdo njeri dhe personalitet e ka vendin e vet. Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin, si figurë karizmatike kushtuar Zotit – Dashuri dhe vëllait apo motrës – njeri, bile atyre që askush nuk kujdeset për ata. Shembulli dhe dëshmia e saj janë universale dhe unike jo vetëm në historinë e krishterimit, por edhe të njerëzimit.

Çdo nderim Mulla Idriz Gjilanit, si dhe figurat tjera tona të njohura dhe të nderuara, që janë të mëdhaja dhe të rëndësishme për ne, megjithatë askush në botë, e jo vetëm në botën shqiptare, nuk mund të krahasohet me Shën Nënën Tereze”, ka deklaruar Gjergji.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Abazit, Don Lushi ka thënë se është mirë që të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam dhe mbi të gjitha t’i imitojmë figurat e ndritshme.

“Është mirë që edhe ne si shqiptarë të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam, mbi të gjitha t’i imitojmë figurat tona të ndritshme, sepse kur zemra është plotë, goja mbetet e zbrazët – memece, dhe anasjelltas, kur kur goja është plotë, mos po rrezikojmë që zemrën ta kemi të zbrazët. Le të garojmë për të mirë të gjithë!”, ka thënë ai.

Ndryshe, Hoxhë Hysamedin Abazi ka thënë mbrëmë se myslimanët janë të diskriminuar në vendin tonë.

Ai deklaroi se Mulla Idriz Gjilani ka bërë shumë më shumë për Kosovën se Nëna Terezë, ndërkohë vetëm fotoja e nobelistes së paqes ndodhet në të gjitha institucionet e vendit.

“Ne kemi një lloj diskriminimi të shumicës absolute të këtij vendi e që janë myslimanët”, tha Abazi.

“Ne me gjithë respektin që kemi ndaj asaj gruaje të madhe që e kemi pasur si popull, Nënën Terezë, e cila e dimë se është një murgeshë e cila sot nuk ka institucion tek ne, prej presidentes e kryeministrit e të tjerë që nuk e kanë të vendosur fotografinë e saj”, shtoi ai.

Sipas Abazit, Nëna Terezë nuk është vlerë nacionale.

“Ajo (Nënë Tereza) nuk është vlerë nacionale. Shumë më vlerë nacionale kishte me qenë Mulla Idriz Gjilanin me pas nëpër institucionet e tona por nuk e ke askund”, tha Abazi.

Abazi tha se ka respektin më të madh për punën e nobelistes për njerëzimin.

“Mulla Idriz Gjilani ka punu, ka luftu dhe ka derdh gjak për këtë vend. Kur është puna për ne Nëna Terezë s’ka bërë sa ka bërë Mulla Idriz Gjilani e shumë të tjerë”, tha Abazi.