Doktori kundër Trump: Më shumë të vdekur nëse hapemi herët, vaksina nuk ka garanci

Doktori për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, ka paralajmëruar senatorët  amerikanë se koronavirusi do të përhapet më shumë nëse vendi hapet herët.

Ai tha se nëse nuk respektohen udhëzimet, vatrat e vogla do të bëhen shpërthime të mëdha. Sipas Fauci-t, numri i viktimave në SHBA me shumë mundësi është më i madh se 80 000. Mesazhi i tij është në kundërshtim me qëndrimin e Donald Trump, i cili ka shprehur disa herë faktin se ekonomia duhet të ringrihet.

Fauci po fliste në një komitet të udhëhequr nga republikanët në senatin amerikan. Deklaratat e tij ai i mbështeste tek plani i Shtëpisë së Bardhë, “Të hapim Amerikën sërish”, ku përfshihet hapje me 3 faza nga 14 ditë.

Kujtojmë që disa shtete kanë rinisur ekonominë. Mirëpo këto vende kanë numër infeksionesh që rriten dhe jo ulen.

Fauci paralajmëroi se shkaktimi i një shpërthimi infeksioni do të jetë më i vështirë për t’u kontrolluar. Kjo pastaj do të vendosë në plan të dytë ekonominë dhe do të shkaktojë më shumë vuajtje dhe të vdekur sipas tij.

Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka dhënë udhëzime për rihapjen, është në dorë të guvernatorëve për të vendosur se sa do të lehtësohen masat. Fauci u përgjigj edhe për mundësinë e rikthimin të  virusit në vjeshtë.

“Shpresoj që nëse do të kërcënohemi nga një valë e dytë, ne do të jemi në gjendje ta parandalojmë përpara se të shpërthejë”.

Edhe pse po punohet për vaksinat, Fauci u shpreh se nuk ka garanci se sa efektive do të jetë ajo.