Dogana dhe ATK-ja shënojnë rritje të hyrash, ekonomistët s’e shohin lajm aq të mirë


Dy institucionet e Kosovës nga të cilat varet mbushja e arkës së shtetit – Dogana dhe Administrata Tatimore – kanë shënuar rritje të të hyrave në muajt e deritashëm të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deri më 22 gusht, Dogana ka arritur të mbledhë një miliard euro, duke tejkaluar shumën e vitit të kaluar për 71 milionë euro. Ngjashëm edhe Administrata Tatimore – ka grumbulluar 515 milionë euro, apo 79 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Për ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj, janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e performancës së të hyrave tatimore.

“Rritja e llogaridhënies, e përgjegjësisë së stafit, pastaj kampanjat e shumta me të cilat po i bëjmë thirrje komunitetit të biznesit që t’i përmbushë detyrimet tatimore, si dhe automatizimi i shumë proceseve të punës”, veçon Murtezaj.

Për njohësit e çështjeve ekonomike, ky nuk është ndër lajmet më të mira. Buxheti i shtetit, sipas tyre, do të ishte më i qëndrueshëm sikur të mbushej nga sektori i prodhimit.