Dodik kërcënon sërish: Shkëputemi nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

Lideri i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik përsëriti kërcënimin se do të shkëputet nga vendi ballkanas nëse në OKB miratohet rezoluta që cakton një ditë përkujtimore për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, ku trupat serbe vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Dodik ka bërë shpesh herë kërcënime të tilla në të kaluarën, duke paralajmëruar bashkimin e Republika Srpska me Serbinë.

Ndërkohë, disa qindra persona u mblodhën përpara selisë së qeverisë në Malin e Zi për të protestuar kundër rezolutës së sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, e cila do të caktonte 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995. Shumë nga protestuesit mbanin në duar flamurin serb dhe kishin veshur bluza me portretin e Vladimir Putin.

Ndërkohë, nënat e burrave dhe djemve të vrarë në gjenocidin në fjalë vendosën kurora me lule dhe mbajtën lutje pranë varreve të të dashurve të tyre. Ato shoqëroheshin nga ministri britanik për Evropën, Nusrat Ghani dhe ambasadori britanik në Bosnje e Hercegovinë, Julian Reilly.