Pakoja e cigareve duhet të jetë në formë të katrorit me qoshe të drejta ose të thyera, e cila do të duhet të përmbajë më së paku 20 cigare, kjo qëndron në draft-ligjin për më të ri për duhanin, prodhimet e duhanit dhe produktet e përafërta me duhanin. Në treg deri më tani, një pjesë e kutive kanë nga 19 cigare. Ligji është propozuar që në fund të vitit 2017-të, në tekst ka pasur komente dhe vërejtje, ndërkaq edhe pse është publikuar versioni i ndryshuar, ende nuk ka kaluar në filtrin qeveritar, njofton Portalb.mk.
“Ndalohet lëshimi në treg i pakove të cigareve të cilat nuk kanë formë të katrorit, të cilat përmbajnë më pak 20 cigare, me përjashtim të pakove që janë të parapara për eksport”, thuhet në propozim ligj.
Sipas dispozitave, pakoja e cigares duhet të jetë e përbërë prej kartonit dhe materialit të butë dhe nuk duhet të ketë hapësirë që të lihet ndonjë mundësi që pakoja e cigares pasi të hapet nga ngjitësja, përsëri të mbyllet me ngjitëse, por duhet që e njëjta të mbyllet vetëm me kapakun e pakos të quajtur “flip-top”.
Vazhdon të ngelet dispozita se në pakon e cigareve duhet qartë të theksohet se për çfarë prodhimi bëhet fjalë, sa përmban katran, nikotinë dhe monoksid karboni. Nëse ajo nuk është e theksuar, prodhimi nuk guxon të lëshohet në treg.
Gjithashtu, ndalohet shitja e cigareve të cilat përmbajnë shenja ose thënie të cilat sugjerojnë ose stimulojnë përdorimin e prodhimit pasi që nuk është shumë i dëmshëm, si për shembull, me ligjin e ri, në pakot e cigareve nuk do të mund të vendoset fjalët “Lowtar”, “mild”, “ultra light”, gjegjësisht “pak katran”, “i lehtë”, “i butë”, “ultra i lehtë” dhe shenja apo shprehje të tjera të ngjashme.
Prodhimi nuk guxon që të ketë shenja të cilat tregojnë se prodhimi ka veti vitale, natyrale, organike, energjetike, rinovuese, shëruese apo rinore.
Sipas ligjit, në pakot e cigareve duhet që të vendosen paralajmërime të përgjithshme dhe shëndetësore. Të përgjithshmet janë se “pirja e duhanit vret” ose “pirja e duhanit është e dëmshme për ju dhe për njerëzit rreth jush”.
Propozim ligjin e plotë mund ta lexoni këtu: Propozim-ligji për duhanin