“Do të lyej me benzinë, unë e ti së bashku në ferr”: Kërcënohet me jetë gazetari Vehbi Kajtazi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve me jetë ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi.

AGK-ja ka kërkuar reagim të shpejtë nga organet e rendit me qëllim që të ofrohet siguria për gazetarët, e në veçanti në këtë rast për gazetarin Kajtazi.

Kajtazi është kërcënuar mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Do të lyej me benzinë, ne të dy do të takohemi, e unë e ti së bashku në ferr”, ishin disa nga kërcënimet që Kajtazi ka marrë nga Driton Dobruna.

Lidhur me këto kërcënime, AGK-ja ka kërkuar reagim nga organet e rendit.

“AGK kërkon nga autoritetet përgjegjëse dhe organet e rendit të Republikës së Kosovës që të ofrojnë siguri për gazetarin Kajtazi dhe që ta trajtojnë me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.
AGK ka kontaktuar me gazetari Kajtazi dhe i njëjti tashmë ka njoftuar autoritetet përgjegjëse lidhur me kërcënimin serioz që ka marrë. AGK kërkon nga Policia e Kosovës që të reagojë shpejt për lokalizimin e kërcënuesit në mënyrë që të evitohet çfarëdo rreziku për jetën e gazetarit Vehbi Kajtazi”, thuhet në reagimin e AGK-së.