Do të ketë rritje pagash edhe për punonjësit e 5 universiteteve publike! Ademi: E mbajmë fjalën

Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Arsim të Lartë, me çka përveç Universitetit “Shën Kiril dhe Metodi” në Shkup, tani rritje të pagave për 22 për qind do të marrin edhe punonjësit e 5 universiteteve tjera publike. Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka falënderuar deputetët që votuan ndryshimet ligjore.

“E mbajmë fjalën. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sapo miratoi propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë, me çka do të rregullohet koeficienti i pagesës së pagës për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë publik nga llogaria e buxhetit, përfshirë profesorët, personelin jomësimdhënës dhe personelin teknikë. Falenderoj të gjithë deputetët që votuan për miratimin e këtij Ligji i cili përjashton çdo mundësi të diskriminimit ndaj ndonjë universiteti publik”, ka shkruar Ademi.