Djaloshi kosovar në Zvicër që deri tani është operuar 70 herë

Djaloshi kosovar nga Zvicra, Arlindi (24) ka një sëmundje të lëkurës. Për këtë arsye, ai rregullisht duhet t`i operoja ulçerat. Ai nuk e di nëse mund të shërohet ndonjëherë. Në një intervistë për “20 Minuten”, Arlindi ka rrëfyer për historinë e tij tronditëse.

Arlind, cila është “e meta” juaj?

Kam një sëmundje të lëkurës, gjatë së cilë të ashtuquajturat aterome zhvillohen rregullisht. Këto janë cista që rriten dhe bëhen më të mëdha me kalimin e kohës – të miat ndonjëherë janë aq të mëdha, sa topat e ping-pongut. Shumicën e tyre i kam në pjesën e pasme të kokës. Kjo është arsyeja përse unë duhet të operohem rregullisht.

Sa operacione keni pasur?

Deri më tani kam bërë rreth 50 operacione me anestezi të përgjithshme, rreth 15 operacione nën anestezi të shkurtër dhe pesë herë kam pasur anestezi lokale. Tashmë kam pushuar së numëruari. Mesatarisht, duhet të bëj operacione rreth një herë në muaj. Sapo të fillojë të formohet një ateromë, duhen rreth tre javë para se ta heq.

Kur e keni bërë operacionin e parë?

Kjo ka ndodhur në vitin 2014. Tani mjekët nuk kanë dëshirë të më japin anestezi të përgjithshme. Anestezia e shkurtër ose anestezia lokale për fat të keq, për mua nuk funksionon më si duhet. Ka ndodhur që nuk u anestezova si duhet gjatë një operacioni. Vura re se si ata po ma presin pesën e pasme të kokës. Ishte e tmerrshme – u trondita.

Çfarë efektesh ka sëmundja tek ju?

Kur shtrihem, kam dhimbje të forta në pjesën e pasme të kokës. Gjithashtu më duhet të marr rregullisht antibiotikë për ta lehtësuar inflamacionin. Përveç kësaj, ateromet shkaktojnë kruarje të fuqishme. Për gjashtë vite me radhë jam duke vujatur nga çrregullime të gjumit . Për shkak të sëmundjes dhe gjumit tim të keq, kam edhe probleme psikike.

Deri në çfarë mase?

Shpesh zemërohem jashtëzakonisht shumë me vetveten time. Pyes vetveten: “Përse trupi im duhet t’i marrë këto ateroma rregullisht?”. Për shkak të shëndetit tim nuk mund të shkoj në punë, jetoj nga zyra e mirëqenies sociale. E shoh se si kolegët dhe vëllai im jetojnë një jetë normale. Unë nuk mund t’i bëj këto gjëra, madje as nuk kam mbaruar një shkollim. Është vërtetë e vështirë. Mirëpo, përpiqem të qëndroj në disponim pozitiv.

Si e arrin një gjë të tillë?

Edhe nëse është e vështirë, përpiqem t’i pranoj gjërat. Në fund të fundit, thjesht të shqetësohesh për këtë nuk e ndryshon situatën. Për më tepër, sëmundja më mëson të mos mërzitem për imtësira. Por nganjëherë është vërtetë e vështirë të mos heqësh dorë nga shpresa – pikërisht sepse nuk e di nëse ateromet ndonjëherë do të zhduken plotësisht. Ende, kam plane për të ardhmen time.

Për shembull?

Qëllimi im është të filloj një shkollim. Unë dua të jetoj një jetë normale dhe të fitoj paratë e mia. Gjithashtu u jam mirënjohës – për shembull mjekëve që përpiqen gjithmonë të ma lehtësojnë dhimbjen. Edhe nëse është vetëm për një moment të shkurtër.

Si është jeta juaj e përditshme?

Unë jam shpesh në shtëpi sepse nuk jam duke punuar. Dikur ka qenë shumë ndryshe. Unë gjithmonë shkoja në shishabar dhe doja të dilja. Tashmë, unë nuk dal më me njerëz, pasi ndjehem i parehatshëm me plagët e mia. Para sëmundjes sime, kisha edhe më shumë miq sesa sot.

Çfarë do t`i këshilloni të tjerët me një sëmundje kronike?

Patjetër që duhet të merret ndihma mjekësore. Dhe përkundër një sëmundjeje, gjithmonë duhet të përpiqeni t’i shihni gjërat pozitivisht. Për shembull, duhet të jeni mirënjohës që jeni akoma gjallë.

Arlindi është me origjinë nga Kosova dhe jeton në Bazel. Nëse shëndeti i tij e lejon, i pëlqen të luajë futboll dhe të shkojë në not. Nëse ai duhet të qëndrojë në shtëpi për shkak të një operacioni, i pëlqen të luaj «Fortnite» ose «Fifa20».