Naim Mataj, xhaxhai i 33-vjeçarit Ramazan Mataj që u vra me breshëri plumbash ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Ai është shprehur se nuk dinte që Ramazani të kishte konflikte me njeri, teksa është shprehur se i riu punonte në ndërtim në Ulqin.
“Nuk na ka shpreh asnjë shqetësim, ka punuar në Ulqin në ndërtim. I ati tha kam komunikuar në 8:30 dhe më më pas jo. Nuk kemi dëgjuar krisma, po këtu njerëzit i kanë dëgjuar. Nuk kemi probleme me askënd. Apelin e kemi për policinë, nuk na la të shikonim kufomën.
Nuk kemi pas probleme, e kishim rujt fëmijën po të kishim probleme. Janë dy djem dhe një vajzë. Është rrit me kushte të këqija. Nuk ka qenë i martum, vëllai tjetër në Belgjikë, e lajmërova për me ardh, nëse vjen”, tha ai.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, por kanë qenë banorët e zonës që mëngjesin e sotëm kanë vënë re automjetin e bërë “shoshë” nga plumbat dhe trupin e pajetë të 33-vjeçarit.
Fqinjët kanë dëgjuar të shtëna, por nuk e kanë kuptuar mirë se çfarë ishin, pasi aty pranë ndodhet një lokal dasmash.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.