Djali autik iu vdiq në makinë, lihen të lirë prindërit shqiptarë: I pëlqente të rrinte aty

Prindërit e 23-vjeçarit shqiptar me aftësi të kufizuara, i cili humbi jetën si pasojë e goditjes nga të nxehtit, pasi qëndroi për orë të tëra në makinën e tyre, janë lënë të lirë.

Petrit dhe Vezire Elezi 56 dhe 48 vjeç, u arrestuan nën akuzën se kishin lënë në makinë nën temperatura të larta djalin e tyre autik. Ata u lanë të lirë me kushtin kufizues që të paraqiteshin një herë në muaj në Komisariatin e Policisë.

Dy prindërit thanë se janë të shkatërruar nga ngjarja tragjike, ndërsa theksuan se 23-vjeçarit i pëlqente të kalonte kohë në makinë dhe i kishte gjithmonë dritaret të hapura, ndërsa i çonin ujë dhe ushqim.

Sipas mediave greke, temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe 23-vjeçari ka qëndruar brenda makinës për të paktën tre orë.

Pasi prindërit kanë parë 23-vjeçarin pa ndjenja e kanë çuar fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Aliverit dhe më pas në Spitalin e Halkidës, ku thjesht u konfirmua vdekja e tij, e cila mund të ketë ardhur si pasojë e goditjes nga të nxehtit.