Divorce të shumta, por avokatja tregon rastin e pazakontë: U nda nga burri se ai nuk ia bleu veturën me të shtrenjtë se 100 mijë euro

Muaji gusht shënoi fundin e martesës për 136 çifte.
Në raport me muajin paraprak, ky numër ka shënuar një rënie të lehtë.

“Sa u përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin gusht janë 136 raste, krahasuar me muajin korrik kemi rënie të numrit të çifteve të shkurorëzuara për ( – 4 %)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Me numrin më të madh të divorceve prin qyteti i Prizrenit me 15 çifte të divorcuara, pasuar nga Gjilani me 14 e Gjakova me 13.

Klina dhe Skenderaj, kanë nga 9 raste, por në top listën e divorceve nuk qëndron kryeqyteti Prishtina, e cila ka mbetur prapa Prizrenit, Gjilanit, Gjakovës, Klinës e Skenderajt, sa i përket kësaj çështje.

Në kryeqytet gjatë muajit gusht janë 7 çifte të cilat kanë vendosur t’i japin fund martesës së tyre.

E numër të njëjtë të divorceve si Prishtina ka dhe Peja, e cila ka 7 raste.

E rastet e ndarjes së çifteve vijnë për arsye nga më të ndryshmet.

Në një edicion të fundit të emisionit “Libero” u tregua edhe një rast i ndarjes për një arsye më të pazakontë nga çka jemi mësuar të dëgjojmë.

Njëra nga të ftuarat në emision, avokate me profesion, e ka ndarë me publikun rastin tejet interesant, e që shkaku ngjalli goxha reagime nga opinioni publik.

“U nda nga burri sepse ai nuk ia bleu veturën me të shtrenjtë se 100 mijë euro”, është shprehur ajo./Lajmi.net/