Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka uruar 107-vjetorin e Forcave të Armatosura, me fjalët e Kleas, 9-vjeçares që i shpëtoi vdekjes pasi natën e 26 Nëntorit po festonte ditëlindjen në Tiranë. Në video shfaqet 9-vjeçarja Klea Pushi, duke lexuar ditarin e saj.
Fati e ka dashur që vogëlushja dhe familja e saj të jetojë, pasi ditën kur ra tërmeti ndodheshin në Tiranë, për të festuar 9-vjetorin e Kleas. Shtëpia e saj në Durrës, është në katin e 10-të, ngjitur me pallatin 6-katësh, që u shkatërrua totalisht.
Ditari i Kleas:
“Të dashur ushtarë, unë jam Klea dhe jam 9-vjeç, ditëlindjen e festova në ditën më të frikshme për cdo fëmijë. Fatmirësisht atë ditë ndodhesha të shtëpia e hallës në Tiranë sepse banojmë në katin e 10 në Durrës. Në mëngjes isha në gjumë dhe nuk e dija se çfarë ndodhi, dëgjova babin që bërtiste me të madhe dhe më mori në krah. Jashtë ishte shumë ftohtë dhe shikoja njerëzit që po dilnin, nuk e kuptoja se cfarë ndodhi. Më në fund u futëm në shtëpi dhe mësova se shumë shtëpi janë prishur dhe njerëzit janë lënduar.
Në ekran fillova të shikoj ushtarët që mbanin kapele me ngjyra dhe forma të ndryshme. Pyeta pak prindërit a kishte luftë? Se nuk kisha parë aq shumë ushtarë në qytet dhe ata më thanë atë që ju po bëni. U habita, se mendoja se ju vetëm luftoni, sipas historive që mësuesja na tregon në shkollë, por sot mësova se ju nuk jeni vetëm për atë qëllim. Pyes prindërit gjithë kohën për ju, madje këtë letër më ndihmoi mami ta shkruaj mirë, se sepse dua t’u tregoj sa xhan ju kam. Jam shumë e lumtur që mësova se tani ju do të na ndihmoi kur të kemi frikë dhe jemi në rrezik. Unë nuk i kuptoj të gjitha akoma, por e di që në vendin tonë ka shumë heroj. Jeni ju dhe të gjithë ata që ndihmuan”.