Dita e dytë e grevës së të punësuarve në FSSH, presin që Qeveria të bisedojë për kërkesën e tyre


Të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH) sot në ditën e dytë do të vazhdojnë grevën, për shkak të paralajmërimeve për uljen e pagave të tyre. Të gjitha njësitë rajonale edhe sot nuk do të kryejnë detyrat e punës, përveç atyre urgjente.

Sipas paralajmërimeve, do të shkurtohen edhe shërbimet të cilat kanë të bëjnë me kërkesën për rehabilitim, për ndihmesa ortopedike, vërtetim të ndihmesave ortopedike, për kompensime për pushim të lindjes dhe për pagesë të pushimeve mjekësore, për sigurim jashtë vendit, për formulare në dy gjuhë, etj. Pa ndërprerë do të punojnë komisionet e mjekëve të cilët i vazhdojnë pushimet mjekësore të të punësuarve për ata që kanë nevojë.

“Revolta mes punonjësve është e madhe. Në grevë janë edhe ata që janë në sindikata të tjera. Le të mbeten ato paga që kemi marrë me rrogën e dhjetorit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm që pagat tona të mbeten në të njëjtin nivel si në dhjetor. Greva nuk do të ndalet, edhe nëse nuk jepen paga, siç është rasti tani. Për momentin punëtorët e FSSH-së nuk kanë paga”, tha kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Administratës, Organeve të Jurisprudencës dhe Shoqatave të Qytetarëve(AOJSHQ), Tërpe Deanoski.

Ai i ka bërë apel Qeverisë që në seancën e sotme, në të cilën tashmë i kanë dërguar shkresë kryeministrit teknik Talat Xhaferi, të shtohet një pikë në rendin e ditës, që të shqyrtohet kërkesa e tyre.

“Siç kanë ardhur në konkluzion me rekomandim që Bordi i drejtorëve t’i zvogëlojë pagat, të dalin në një konkluzion të ri me rekomandim që të mbahet e njëjta vlerë e pikës, pra 77,16 denarë, ajo vlerë të jetë deri në fund të vitit. Për momentin në takim në godinë janë të gjithë drejtuesit e FSSH-së nga njësitë rajonale, përfshirë edhe drejtorët nga ajo qendrore. Ne bëmë një iniciativë të firmosur nga të gjithë drejtorët e njësive rajonale, ku garantojnë se do të kryhen të gjitha detyrat e punës dhe do të mbeten dhe do të ketë para në Fond për pagesën e pagave, siç janë tani, dhe qytetarët të jenë të qetë, se do të ketë ilaçe për të gjithë”, shtoi Deanoski.

Ai tha gjithashtu se FSSH-ja është një institucion me buxhetin më të lartë në vend dhe siç theksoi ai ka gjithmonë para.

“Para do të ketë edhe nëse mbeten këto paga të punëtorëve, siç u pajtuam me menaxhmentin e FSSH-së”, sqaroi Deanoski, duke shtuar se nëse zvogëlohen pagat “mund të jetë edhe më keq”.

Mbështetje e plotë për grevën e të punësuarve në FSSH – AOJSHQ arriti nga Sindikata e Pavarur e të Punësuarve në Klinikat Universitare, Qendrat, Spitalet Klinike dhe institucione të tjera shëndetësore publike në shtet. Kryetari i kësaj sindikate, Predrag Serafimovski, dje deklaroi se shpreson se AOJSHQ do të luftojë në realizimin e të drejtave të anëtarëve të saj, të cilat u takojnë në bazë të ligjit, marrëveshjeve kolektive dhe legjislacionit ndërkombëtar të punës.

Nëse përmbushet ulja e pagave në FSSH, në bazë të rekomandimit siç e jep Qeveria, sipas sindikatës, rreth 500 të punësuar do të marrin paga nën minimalen.