“Të pandalshëm” është motoja e shënimit të sivjetshëm të 8 Majit – Ditës botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Javës së Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut (8-15 maj 2021) dhe kjo del nga aktivitetet e kësaj organizate humanitare gjatë vitit të kaluar në ballafaqimin me pasojat nga pandemia globale.
“Sllogani i festës të sivjetshme në masë të madhe ka të bëjë me përpjekjet e lëvizjes sonë që t’u përgjigjemi pasojave nga koronavirusi. Gjithë ajo që kanë bërë vullnetarët dhe shërbimet, ishte në funskion që t’u ndihmohet njerëzve më mirë të ballafaqohen me pandeminë”, tha mes tjerash kryetari i Kryqit të Kuq të RMV-së, Romel Velev.
Dita botërore e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe shënohet çdo vit në këtë datë për nder të Anri Dinan, themeluesi i kësaj lëvizje, i cili ka lindur më 8 maj të vitit 1828.
Shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në botë në këtë ditë përmes aktiviteteve të rastit, e ngrisin vetëdijen për rëndësinë e parimeve dhe vlerave të tyre themelore, organizojnë aktivitete të ndryshme për tërheqjen e anëtarëve dhe vullnetarëve të rinj dhe për shprehjen e mirënjohjes dhe falënderimit për partnerët, të cilët i përkrahin në misionet e tyre humane.