Dita 26 e luftës/ Ukraina nuk i dorëzon Mariupolin Rusisë! Sulm në qendrën tregtare në Kiev


Dita e 26 të luftës në Ukrainë.

Ukraina ka refuzuar një ultimatum rus që të dorëzohet qyteti i Mariupolit, ku rreth 300,000 njerëz besohet të jenë të bllokuar, duke siguruar kalim të sigurt nga porti nëse kjo ndodh. Kryetari i bashkisë së Mariupolit tha më herët për BBC se premtimet humanitare të Moskës nuk mund të besohen, duke u zotuar se forcat ukrainase do të luftojnë. Situata në qytet, i cili është i rrethuar nga trupat ruse dhe i shkatërruar nga bombardimet, është si “ferri në tokë”, pasi furnizimet ushqimore dhe mjekësore po mbarojnë.

Sulmet në qytete të tjera të Ukrainës vijojnë, disa shpërthime të forta u raportuan nga Kievi, ku autoritetet thanë se shtëpitë dhe një qendër tregtare u goditën, duke shkaktuar katër viktima.

Ministria e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar tha se forcat ruse që përparojnë në kryeqytet nga verilindja kanë ngecur, ndërsa ndodhen 24 km nga qendra e qytetit. Ndërkohë, ka pasur një rrjedhje amoniaku në një fabrikë kimike në qytetin verilindor Sumy, i cili gjithashtu është i rrethuar nga forcat ruse. Zyrtarët u thanë banorëve të qytetit që të largohen në një rreze prej tre miljesh, sepse gazi është i rrezikshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi Izraelin për hezitimin e tij për të dërguar teknologjinë e mbrojtjes raketore në Ukrainë Në një fjalim në parlamentin izraelit, ai tha: Të gjithë e dinë se sistemet tuaja të mbrojtjes nga raketat janë më të mirat… ju patjetër që mund t’i ndihmoni njerëzit tanë.

8:50 Forcat e Armatosura të Ukrainës: Shtatë objektiva ruse u goditën

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se shtatë objektiva ajrore ruse u goditën gjatë të dielës. Objektivat ishin një avion, katër mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe dy raketa lundrimi. Ai thotë se ka pasur një rënie në intensitetin e përdorimit të avionëve të drejtuar nga Rusia. Në rajonet Donetsk dhe Luhansk thuhet se po kryhen masa mobilizimi të detyruar nga forcat ruse.

8:25 Zelensky: Jeruzalemi vendi i duhur për bisedime

Izraeli po bën përpjekje për të ndërmjetësuar midis Ukrainës dhe Rusisë dhe potencialisht mund të jetë një vend për bisedimet e ardhshme të nivelit të lartë të paqes, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

8:20 Bombardimet në Kiev rritet bilanci i viktimave

Katër persona kanë vdekur pas bombardimeve të disa banesave dhe një qendre tregtare në Kiev. Në një postim, kryebashkiaku i kryeqytetit Vitali Klitschko tha se ekipet e shpëtimit janë ende duke shuar zjarrin e madh në vendin e sulmit. Pamjet e publikuara nga shërbimet e urgjencës tregojnë një operacion shpëtimi në një qendër tregtare në Kiev.