Distria nuk arrin të fitojë në finalen e turneut në Paris

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi nuk e mbylli më së miri garën e saj në Paris, pasi që humbi finalen kundër francezes Amandine Bushard. Me këtë paraqitje, Distria fiton medaljen e argjendtë në kategorinë -52 kilogramë. Kjo është medalja e dytë këtë vit për Distria-n, pas asaj të artës në Portugali.

Në këtë garë, Distria e kaloi raundin e parë pa kundërshtare, kurse në raundin e dytë dhe luftën e saj të parë për ditën e sotme, mposhti francezen Anais Mosdier, me Ippon. Pas Mosdier, radha ishte për të mposhtur Chelsie Giles, e cila po ashtu nuk i hapi shumë probleme.

Luftëtarja kosovare mposhti me Ippon edhe Fabienne Kocher të Zvicrës dhe siguroi biletën për finalen. Bushard bëri më të mirën para tifozëve të saj, dhe arriti të ndalte xhudisten kosovare në synimin e saj për medaljen e artë, në një luftë që zgjati afër tetë minuta dhe u vendos me ‘Golden Score’.
Distria Krasniqi fiton kështu medaljen e vetme për Kosovën në turneun në Paris, pasi që Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Laura Fazliu, të tre dështuan të fitojnë medalje.