Disa shtete të Evropës regjistrojnë numër të lartë të rasteve të reja me Covid-19

Republika Çeke ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus më 9 tetor, përkatësisht 8,618 raste të reja – dita e katërt me radhë që ky vend shënon numër rekord të infektimeve – teksa, në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar se shteti i saj mund të humb kontrollin mbi pandeminë, pasi u rritën rastet e reja.

Republika Çeke dhe Gjermania janë në mesin e disa shteteve evropiane që po regjistrojnë numër alarmant të rasteve të reja, duke detyruar këto shtete të vendosin masa kufizuese për të frenuar përhapjen e pandemisë.
Ukraina dhe Polonia po ashtu kanë regjistruar numër të madh të rasteve të reja në ditët e fundit, dhe Rusia, që është vendi i katërt në botë me numrin e infektive, më 9 tetor regjistroi 12,126 raste të reja – numri më i lartë brenda një dite, që prej muajit maj.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin tha se numri i testimeve është dyfishuar, por sipas tij, “faktor kyç mbeten rastet e reja të rënda” që po kërkojnë hospitalizim. Ai po ashtu tha se numri i viktimave është duke u rritur.
“Kjo tregon se pandemia është duke u rritur. Këto dinamika nuk premtojnë asnjë të mirë”, tha ai.
Ndërkaq, kancelarja Merkel tha se me rritjen e rasteve të reja, duhet të forcohen edhe masat kufizuese.

Jashtë Evropës, India më 9 tetor ka raportuar mbi 70,000 raste të reja dhe Shtetet të Bashkuara mbi 56,000 raste të reja. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë së Meksikës regjistroi 5,263 raste të reja, ndërkaq, Brazili më shumë se 27,000.
Deri më tani, pandemia ka marrë jetën e më shumë se 1 milion personave dhe janë infektuar mbi 36,8 milionë njerëz në mbarë botën, thuhet në të dhënat e prezantuara nga Universiteti Johns Hopkins.