Disa refugjatë afganë lëshojnë Maqedoninë, nisen drejt Francës

Përfundoi qëndrimi i përkohshëm në vend për një grup qytetarësh nga Afganistani, të cilët u nisën për në Francë përderisa presin t’u njihet e drejta për azil.
“Një grup prej 10 qytetarësh nga Afganistani të cilët përkohësisht ishin akomoduar në Maqedoninë e Veriut janë larguar mbrëmë nga aeroporti ndërkombëtar i Shkupit.

Akomodim u ka siguruar Republika e Francës, derisa presin t’u pranohet e drejta e azilit si pjesë e operacionit për ndihmë të qytetarëve që kanë punuar për institucionet dhe organizatat demokratike dhe ndërkombëtare në Afganistan, ndërsa janë nën kërcënim të regjimit të ri taleban në vend”, njoftojnë nga Qeveria.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po merr pjesë në misionin humanitar ndërkombëtar, ku deri tani është siguruar qëndrim i përkohshëm për 484 qytetarë të Afganistanitnë vendin tonë. Për periudhën e qëndrimit në vend ju sigurohet qëndrim në objekte në Shkup, mbrojtje shëndetësore dhe mbështetje psiko-sociale derisa nuk sigurohet transfer deri te destinacioni i fundit, ndërkaq shpenzimet në tërësi mbulohen nga organizata ndërkombëtare.