Disa pacientëve, COVID-19 po u lë pasoja afatgjate

Deri më 19 mars të këtij viti, Felicity Callard, një profesoreshë 49-vjeçare nga Britania dhe ligjëruese, ishte shëndosh, aktive dhe e fortë. Tash, ajo thotë, se është e lidhur, e brishtë dhe e frikësuar, shkruan agjencia Reuters.

Mendja e saj është e mbushur me frikë se çfarë dëmi ka mundur t’i jenë bërë zemrës së saj, mushkërive dhe trurit kur u infektua nga koronavirusi i ri. Ajo ishte i ashtuquajtur rast i “butë” me COVID-19. Ishte infektuar më tepër se pesë muaj më parë dhe është e tmerruar se mund të infektohet sërish.
“Unë u shkatërrova plotësisht nga kjo sëmundje. Jeta ime ka ndryshuar tërësisht. Jam e kufizuar në një hapësirë një kilometërshe nga shtëpia, pasi vetëm kaq mund të eci”, thotë ajo.

Në mars, ajo thotë, se ishte ndjerë më tepër në kontroll të shëndetit të saj. Ishte siguruar pjesërisht nga mesazhet se shumica e rasteve janë të buta, dhe se një kontroll i mirë i infeksionit, higjiena e duarve dhe distanca sociale do të reduktonte kontraktimin e COVID-19.

Tash ajo frikësohet sikur “rreziku është kudo”.
Callard është një nga mijëra persona në mbarë botën që po shfaqin simptome të vazhdueshme shumë muaj pasi janë identifikuar me COVID-19. Disa e kanë adoptuar termin “COVID i gjatë” për të përshkruar gjendjen e tyre.
Vështirësitë në frymëmarrje, humbje të kujtesës, lodhje ekstreme, kokëdhembje, mjegullim i trurit, dhembje të muskujve dhe ënjtje të nyjeve, këto janë simptome që po u paraqiten pacientëve nëpër botë.

Dhe për shumë, frika e depresioni janë po aq të vështira sa brishtësitë fizike.
“Ne jemi në tokën e askujt. Nuk e dimë nëse kjo është kronike apo nëse do të vijë një pikë kur do të jemi plotësisht të rikuperuar. Zgjohesh në mëngjes dhe nuk je në dijeni se si do të ndjehesh. Jo vetëm nga dita në ditë, por edhe nga ora në orë”, thotë Sandra Edwards, një 46-vjeçare që ka formuar grupin “LongCovidSOS”.

Sipas LongCovidSOS, të dhënat nga aplikacioni për gjurmim të simptomeve të krijuar nga Kolexhi Mbretëror në Londër, shkenctarët thonë se 10 për qind e pacientëve me COVID-19 janë ende në gjendje jo të mirë edhe pas tri javëve dhe deri në pesë për qind vazhdojnë të qëndrojnë sëmurë me muaj.
“Mentalisht ndjehesh e braktisur”, thotë Morena Colombi, 59-vjeçare nga Truccazzano e Italisë, që ishte diagnostikuar me COVID-19 në shkurt dhe ende po vuan nga simptomet. “Edhe mjekët nuk e dinë se si të ndihmojnë. Nuk mund më të bësh jetën tone siç e bëje në të kaluarën dhe është depresionuese”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte takuar muajin e kaluar me grupin që përfaqëson pacientët me simptoma të COVID-19 që i zgjasin me muaj.
Drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus pas takimit i siguroi: “Ne po ju dëgjojmë qartë”.
Por ai tha: “Ne ende dimë shumë pak për efektet afatgjate. Ne kemi vetëm tetë muaj përvojë me pandeminë e koronavirusit”.

Callard dhe Edwards e dinë se mjekët po përballen me një sëmundje krejt të re të shkaktuar nga një virusi i ri. Kështu që nuk presin përgjigje. Por ato dhe specialistët e shëndetit mendor thonë se ndikimi psikologjik i kësaj paparashikueshmërie dhe mungesë kontrolli bën gjërat më keq.
“Është shumë e frikshme për njerëzit në shtëpi – dhe jo në spital – që po ndjehen se nuk po mund të marrim frymë, si shembull. Po dëgjojmë storie të frikshme nga njerëzit që kanë qenë në situata të tilla”, thotë Rona Moss-Morris, kryetare e psikologjisë te IPPN, e cila tregon se në hulumtimet me bacientë që kanë qenë në gjendje kritike apo kujdes inteziv shihen shenja të frikës, depresionit dhe stresit pas-traumatik.