Disa nxënës të infektuar me Covid-19, Carovska: Fëmijët nuk janë infektuar në shkollë


Në ditën e dytë të shkollës, në dy shkolla të fillore, janë regjistruar rastet e para të nxënësve të infektuar me Covid-19. Të infektuarit dhe fëmijët që kanë pasur kontakt të afërt me ta janë në izolim shtëpiak, ndërsa mësuesja do t’u mbajë mësim online. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit 0.01 % është përqindja e rasteve aktive pozitive të nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa ministrja e Arsimit, Milla Carovska thekson se në shkolla ende nuk ka përhapje të brendshme të virusit.

“Nuk kemi nxënës të infektuar në shkolla, ende në asnjë shkollë nuk kemi përhapje të brendshme të virusit. Inspektorati sanitar dhe shërbimet epidemiologjike janë në terren dhe po veprojnë. Cilat shkolla, cilët fëmijë apo cilët mësimdhënës janë pozitivë, dihet, i kanë informatat kompetentët të cilët duhet t’i kenë. Është e rëndësishme që opinioni ta dijë se përqindja e rasteve pozitive në nivel shtetëror është 0.01 për qind. Kjo flet për stabilitetin e gjendjes”, tha Carovska.

E si burim i përhapjes së Covid-19 po konsiderohet edhe transporti publik. Rikthimi i nxënësve në shkolla të mesme ka bërë që autobusët e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik të jenë të stërmbushur, ndërsa numër i konsiderueshëm i nxënësve nuk mbajnë as maska mbrojtëse, por i pari i Shkupit, Petre Shilegov siguron se autobusët asnjëherë nuk kanë qenë burim infeksioni, sepse janë të sigurt dhe të dezinfektuar.

“Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk ka qenë dhe nuk do të jetë arsye për rritjen e Covid-19 ose burim i infeksionit. Kur filloi periudha me virusin edhe në “Neë York Times” ka pasur shkrim se si dezinfektohen autobusët. Ajo që kemi rritje të frekuentimit për shkak të nxënësve, flas për linjat 2, 5, 15, 57 asnjëherë nuk kanë qenë në regjimin e fundjavës, por kanë qenë më regjim të rregullt të punës”, deklari Shilegov.

Mësimin me prani fizike këtë vit shkollor janë duke e ndjekur 257 mijë nxënës, ndërsa ministrja Carovska apeloi për respektim maksimal të protokollove anticovid me qëllim që mësimi të vazhdojë me prani fizike, por shtoi se nëse ka rritje të rasteve me Covid-19, janë të gatshëm që në çdo moment ta ndryshojnë modelin e mësimit.