DIPLOMIMI I DYSHIMTË I STUDENTËS – PROFESORESHA BËN KALLËZIM PENAL NDAJ REKTORIT DEMA E DEKANIT ÇEKU


Të enjtën e 12 korrikut studentja e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, A.R. mbrojti temën e diplomës tek profesoresha Myrvete Dreshaj-Baliu. Mirëpo, ajo nuk e kishte kryer një provim tek profesoresha e lëndës së Metodologjisë së Njohjes së Nocioneve Matematikore, Valbona Berisha.

Për këtë arsye, Berisha i ka bërë kallëzim penal rektorit të UP-së, Marjan Demës, dekanit të Fakultetit të Edukimit, Ethem Çekut, sekretarit të Fakultetit të Edukimit, Milaim Mazrekut dhe sekretarit të Përgjithshëm të universitetit, Esat Kelmendit. Kallëzimin penal, Berisha e ka dorëzuar në Prokurori.

Insajderi ka siguruar kallëzimin penal që është bërë ndaj katër zyrtarëve të lartë të Universitetit të Prishtinës, në muajin shkurt të këtij viti.

Valbona Berisha pretendon se Ethem Çeku dhe Milaim Mazreku kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, ndërkaq Marjan Dema dhe Esat Kelmendi dyshohen për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Kjo pasi që më 13 korrik të vitit të kaluar, rreth tri orë para se studentja A.R. të paraqitej për të mbrojtur temën e diplomës, profesoresha Valbona Berisha kishte pranuar listën e studentëve që do të mbronin temën atë ditë. Në listë ndodhej edhe studentja që nuk e kishte dhënë akoma provimin tek lënda e saj.

Pasi e kishte kontrolluar listën, ajo kishte deponuar një deklaratë tek Sekretari i Fakultetit, Milaim Mazreku dhe tek Komisioni për Mbrojtje të Temave. Si rezultat i kësaj, atë ditë mbrojtja e dyshimtë e diplomës nga studentja A.R. ishte anuluar.

Por një ditë më vonë, më 14 korrik të vitit të kaluar, Komisioni Disiplinor i Fakultetit të Edukimit nuk mori masa për rastin në fjalë. Berisha prezanton dëshmi se dokumentacioni i studentes u falsifikua, ndërkaq shprehet se dekani dhe sekretari i Fakultetit ndikuan kundër marrjes së masave.

“Komisioni disiplinor nuk ka marrë ndonjë masë disiplinore për këtë rast të shkeljes së rëndë, sepse në mbledhjen e vetme ku është shqyrtuar rasti, sekretari i ngarkuar me lëndët, ka deklaruar se lëndën për fletëparaqitjen time nuk e ka me vete”, thuhet në kallëzimin penal.

“Gojarisht nga ana e dekanit kam marrë konfirmimin se studentja do të dënohet, mirëpo kur iu drejtova sekretarit zyrtarisht për të marrë vendimin mbi këtë dënim, përgjigja e tij ishte: nuk ka gjetje për ta dënuar studenten”.


Kallëzimi penal ndaj Marjan Demës, Ethem Çekut, Esat Kelmendit dhe Milaim Mazrekut

Ndërkaq, sipas kallëzimit penal, dekani Çeku dhe sekretari Mazreku kanë manipuluar Komisionin Disiplinor të Fakultetit të Edukimit dhe Këshillin e Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që lënda për shkelje të rëndë disiplinore nga studentja A.R të shpallej e pabazuar.

Madje, Çeku dhe Mazreku nuk e kanë ndëshkuar e as parandaluar falsifikuesin e dokumentacionit të studentes A.R., e cila tentoi ta mbronte temën e diplomës në mënyrë të dyshimtë.

“Me këtë veprim nuk është ndëshkuar tentim-përfitimi i paligjshëm (diplomimi pa i kryer të gjitha provimet e parapara me programin e studimeve; nuk është gjetur, as nuk është ndëshkuar falsifikuesi i dokumentacionit të studentes që është paraqitur për diplomim”, thuhet në kallëzimin penal që Valbona Berisha ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.