Dimitrov në Beograd në bisedime me Daçiqin

Me ftesë të homologut të tij, ministrit serb Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, sot do të realizojë vizitë pune në Republikën e Serbisë.

Siç kumtoi MPJ, kjo është vizita e parë e punës së ministrit të Punëve të Jashtme jashtë vendit që nga fillimi i pandemisë, si shenjë e zhvillimit të mëtejshëm të dialogut miqësor dhe bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.

Në takim, është paraparë që ministrat të shkëmbejnë mendime mbi gjendjen aktuale në marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, me theks thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Njëkohësisht, do të shkëmbehen mendime dhe përvoja në lidhje me menaxhimin e pandemisë aktuale në të dyja vendet, si dhe hapat e tyre të ardhshëm për të zbutur masat kufizuese në regjimin e lëvizjes së ndërsjellë.

Të dy ministrat e Punëve të Jashtme do të diskutojnë gjithashtu për bashkëpunimin rajonal, si faktor në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë, si dhe agjendën e BE-së në prag të hapave të rëndësishëm që gjenden si para Maqedonisë së Veriut, ashtu dhe para Serbisë dhe rajonit në tërësi.