Për tejkalimin e ngërçit në procesin e zgjerimit, rajoni duhet të dërgojë porosi të qarta të mbështetura me vepra konkrete, porositi zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në konferencën rajonale dedikuar së ardhmes evropiane të rajonit “Ballkani Perëndimor: E ardhmja e Evropës është agjenda jonë e përbashkët”.
Dimitrovi, i cili në konferencë merr pjesë me ftesë të Qeverisë së Malit të Zi, theksoi se sa më shumë flasim njëzëri, aq më zëshëm do të jehojë porosia jonë dhe do të dëgjohet larg.“Në kryeqytetet e BE-së, lajmet nga një shtet nga rajoni ndikojnë në perceptimet për gjithë Ballkanin Perëndimor, duhet të dëshmojmë se mund të punojmë bashkë dhe t’i tejkalojmë çështjet e hapura. BE-ja, nga ana e saj, duhet të dëshmojë se e kupton rëndësinë strategjike të zgjerimit me vendet e rajonit. Nëse përforcimi i rezistencës së Unionit është një nga pikat të cilat e prekin të ardhmen e Evropës, atëherë pikërisht rajoni është pikë vitale për realizimin e këtij qëllimi. Suksesi i dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut është kyç nëse duam që bileta politike evropiane të jetë fituese”, deklaroi Dimitrovi.
Siç bëri të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, në ngjarje, që u organizua në bashkëpunim me Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, fjalime përshëndetëse kishin edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq dhe kryesuesi me Këshillin e BE-së, Gashper Dovzhan, përderisa në diskutimin morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, kryenegociatorja e Malit të Zi, Zorka Kordiq, kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga rajoni.