Dimal Basha preferon që tre djemtë e tij t’i rris homoseksuali Tim Cook para heteroseksualit Shefqet Krasniqi


Projektkodi Civil, i cili mes tjerash do të rregullonte edhe statusin juridik të personave të lidhur nga gjinia e njëjtë, ka nxitur një debat të gjerë në Kosovë. Për shkak të nenit të shumëdiskutuar lidhur me këtë çështje, Projektkodi nuk ka marrë votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës dhe qeveria pritet që ta risjell për votim së shpejti.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, i është bashkuar debatit, duke përkrahur projektkodin që do t’u hapte rrugë martesave të gjinive të njëjta.

Basha ka thënë në KTV se do të preferonte që para imamit të njohur Shefqet Krasniqi, tre djemtë e tij t’i rriste Tim Cook, shefi i kompanisë gjigante Apple, i cili orientimin seksual e ka të deklaruar si homoseksual.

“Për mu, unë kam problem më shumë për shembull me qëllimet e një kleriku që del dhe nxitë urrejtje, e më shumë kam respekt për Tim Cook. Pyetja është për shembull, nesër hipotetikisht: unë i kam tre djem si pëllumba… me më pyet, a po do me t’i rritë Shefqet Krasniqi si heteroseksual apo Tim Cook si homoseksual, unë gjithë jam Tim Cook me i rritë ata”, ka thënë Basha.

“Edhe qetu përfundon ky debat”, ka shtuar ai.

Një pjesë e madh e shoqërisë, përfshirë edhe fytyra publike, e madje mes tyre edhe deputetë, e kanë kundërshtuar këtë propozim të qeverisë, ndërkohë që një pjesë janë shprehur pozitiv për të lejuar këtë nismë, që është në harmonizim me ligjet dhe standardet e BE-së.