Mbetet e paqartë nëse autoritetet e Kosovës do të lëvizin drejt shfuqizimit të tarifës doganore 100 për qind të vendosur ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, para nisjes së fazës së ardhshme të dialogut me Serbinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme të heqë taksën ndaj importeve nga Serbia e Bosnja, në rast se ekziston një rrugë e qartë drejtë arritjes së marrëveshjes me Serbinë.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka njoftuar se gjatë një bisede me gazetën, The Washington Post, ai ka përmendur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrë rol udhëheqës “në koordinimin e inputit ndërkombëtar për marrëveshjen paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”.
Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit Thaçi, se si ai planifikon se mund të shfuqizohet vendimi i Qeverisë për tarifat doganore 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk i ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kishin prezantuar qëndrime krejtësisht të ndryshme edhe në lidhje me idenë e prezantuar nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, për ndryshimin e kufirit, si pjesë të marrëveshjes finale për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Paraprakisht, kryeministri, por edhe zyrtarët tjerë të Qeverisë së Kosovës kanë këmbëngulur se taksa nuk do të shfuqizohet përderisa Serbia të mos njoh Kosovën si shtet të pavarur.
Por, pas deklaratave të presidentit Thaçi, zyrtarët nga kabineti i kryeministrit Haradinajt nuk kanë dashur të komentojnë asgjë.
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka shkruar në Facebook se “taksa 100 për qind nuk është vënë për t’u hequr pa ndryshuar plotësisht rrethanat”.
“Njohja e Serbisë për shtetin e Kosovës, sipas 17 shkurtit 2008, hapë mundësinë për të diskutuar, jo anasjelltas. Siguria kombëtare nuk vihet në kalkulime”, ka shkruar Ramadani.
Po ashtu, mediat vendore në Kosovës, citojnë Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala të ketë thënë se “presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të japë premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë” sepse siç citohet ai , “taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo presidenti”.
Më 21 nëntor, 2018, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Përveç kësaj mase, në muajin dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë vënë masën e njëjtë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi, duke fuqizuar këtë vendim nga 1 janari i këtij viti.
Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj këtyre masave, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi.
Kurse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili zhvillohet me lehtësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të vazhdojë derisa të shfuqizohet kjo taksë.
Ekipi i ri negociator i Kosovës të martën do të zhvillojë një takim në Bruksel për t’i informuar zyrtarët e Bashkimit Evropian mbi ecurinë e përgatitjeve në Kosovë për procesin e dialogut.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në opozitë konsiderojnë se vazhdimi i negociatave me Serbinë, me ekipin negociator nuk ka ndonjë ndryshim krahasuar me negociatat e zhvilluara nga presidenti Thaçi. Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu tha në një konferencë për media se komplet thelbi i negociatave duhet të ndryshohet.
“Ata duan të shkojnë dhe të negociojnë me Serbinë duke mos vendosur bazë të reciprocitetit dhe kjo shihet qartë nga rezoluta dhe nga draft-marrëveshja që e ka hartuar Ramush Haradinaj. Në start po shihet qartë se pala e Kosovës është e gatshme të shkojë në bisedime e pabarabarta karshi Serbisë. Në vazhdën e kësaj, i bie që edhe ata të mos jenë përfaqësues në këtë delegacion”, tha Aliu.
Ekipi negociues i Kosovës ka në përbërje përfaqësues të Qeverisë, apo partive të koalicionit qeverisës, si dhe përfaqësues të subjektit opozitar Partia Socialdemokrate.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili në vitin 2011 kishte nisur si dialog për rregullimin e çështjeve teknike, për të vazhduar më pas si dialog politik, nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga palët në dialog e as nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i këtij procesi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend./rel