Dikur bashkëpartiakë, sot oponentë, debat i nxehtë mes Dimitrievskit dhe Ilievskit në “garën” për Kumanovën

Dikur bashkëpartiakë, tani oponentë në garën për kryetar të Kumanovës. Pasi nuk e kandiduan për mandat të dytë, Maksim Dimitrievski vendosi të garojë si i pavarur. Kundër tij është bashkëpartiaku i tij i dikurshëm, Oliver Iliveski. Mes tyre u zhvillua debat i nxehtë në ballafaqimin parazgjedhor të kandidatëve për kryetarë të Kumanovës.

Një prej temave për të cilën kishte shumë mospajtime dhe akuza është premtimi i vjetër për dislokim ose ndërtim të një objekti të ri për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Edhe pse nuk përmendi emra, Dimitrievski akuzoi ish-ministra të arsimit, të cilët siç tha, nuk i kanë dhënë mjete për ndërtimin e objektit. Dimitrievski madje tha se një ministër i ka thënë – kush je ti që t’i zgjidhësh problemet e shqiptarëve?! Megjithatë, nuk deshi ta përmendte emrin e tij duke thënë se opinioni publik e di për kë e ka fjalën.

“Nuk dua ta ul nivelin dhe të përdor demagogji, megjithatë nuk dua të predikoj si z.Iliveski. Mendoj se bëhet fjalë për panjohuri elementare. Duhet t’i shihni faktet dhe argumentet në MASh, të shihni se sa letra janë dërguar nga ana e komunës dhe për sa prej tyre ka përgjigje. Për asnjë! Sot kjo ministri më së shumti përdor “komunikim Viber”, për institucionet mes ministrit në mënyrë të drejtpërdrejtë me drejtorët dhe shkollat e tjera”, tha Maksim Dimitrievski – kandidat i pavarur për Komunën e Kumanovës.
Sipas Iliveskit është e palejueshme që të mos ketë komunikim mes kryetarit të komunës dhe pushtetit qendror. Siç tha ai, faji nuk qëndron te qeveria por te Dimitrievski.

“Si mundemi të gjithë ne të bashkëpunojmë me të gjithë ministrat, ndërsa ai nuk mund me asnjë. Ky është fakti të cilin duhet ta theksojë. Ne duhet të punojmë për interesin e qytetarëve e jo të përdorim demagogji, si është, si ka qenë, të akuzojmë ndonjë ministër. Unë nuk mund të kuptoj se kush është ky ministër i cili nuk ka dashur të ndërtojë një shkollë të mesme, gjimnaz me mësim në gjuhën shqipe”, theksoi Oliver Ilievski – kandidat i LSDM-së për Komunën e Kumanovës.
Sipas kandidatit të ASH-së dhe Alternativës problemi mund të zgjidhet shumë lehtë nëse ekziston vullnet. Tashmë ka objekte ku mund të ndjekin mësim nxënësit e gjimnazit e jo ky problem të shfrytëzohet në fushatën parazgjedhore.

“Derisa presim që këto procedurat shumë dekadshe që të lejohet apo të mos lejohet ndërtimi i një shkolle është shumë e thjeshtë, të mos bëjmë ndarje se në fund të fundit, mësojnë nxënësit së bashku ashtu siç kemi mësuar edhe ne në rinin tonë. Pse mos të zgjidhet problemi me një kombinim, me një bashkim të nxënësve të transferohen të objekti aktual i të njëjtës shkollë dhe të njëjtin emër dhe ka kapacitete për t’i pranuar që të gjithë”, tha Bekim Saliu – Kandidat i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për Komunën e Kumanovës.

Në ballafaqimin parazgjedhor kandidatët kishin qëndrime të kundërta në lidhje me atë që është bërë deri më tani duke pohuar se mund të bëhet edhe më shumë. Premtuan shumë projekte të infrastrukturës, dhe mbajtje të të rinjve në qytetin e tyre. Në këtë debat ishin ftuar por nuk erdhën Toni Mihajllovski i VMRO-DPMNE-së dhe Teodora Dimitrovska, kandidate e koalicionit PLD-së dhe RDM-së.