Dihet kush i ka hapur dyert e Kuvendit më 27 prill dhe 4 organizatorët që urdhëruan, tha Ruskovska


Prokuroria për krim të organizuar do të dëshmojë se të pandehurit Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski, Mile Janakieski dhe drejtori i atëhershëm i DSK-së Vlladimir Atanasovski kishin hartuar plan për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, për ta parandaluar pranim dorëzimin e pushtetit, që rezultoi me sulm më 27 Prill 2017, me këto fjalë e filloi pretencën Prokurorja publike Vilma Ruskovska për aktakuzën kundër organizatorëve të sulmit 3 vjet më parë, raporton SDK.

“Të gjithë këta të pandehur që i shihni këtu janë kube të një mozaiku. Do të dëgjoni nga Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski se ata kishin qenë në selinë e partisë së tyre sepse janë zyrtarë të lartë të partisë. Nga kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski do të dëgjoni që ai nuk kishte ditur për hyrjen e protestuesve, ndërsa nga Vlladimir Atanasovski që kishte qenë në ndeshje të hendbollit dhe se nga media kishte kuptuar se çfarë po ndodhte në Parlament. Por nuk është kështu”, tha prokurorja Ruskovska.

Pastaj tregoi se çfarë thonë dëshmitë që ajo i posedon: “Spiro dhe Mile u lajmërohen anëtarëve, organizojnë transport për prani sa më të madhe para Kuvendit. E dimë kush i hapi dyert, por e dimë edhe kush u ka thënë atyre ta veprojnë ashtu. Ato janë të pandehurit këtu, si dhe lideri i tyre, Nikolla Gruevski, i cili aq shumë donte të përballej me qytetarët në zgjedhje, ndërsa si qyqar u arratis para drejtësisë dhe qytetarëve”, tha Ruskovska.

Gruevski nuk është në këtë akuzë sepse hetimi kundër tij nuk ka mund të fillojë sepse ai u arratis nga vendi dhe fitoi azil në Hungari.

“Kjo na sjell tek Trajko Veljanoski, kryetar dhe njeriu i dytë në shtet. Ai refuzoi të ndryshojë pikat në rendin e ditës të seancës të propozuar nga deputeti Oliver Spasovski dhe 10 ligjvënës, duke e shkelur ligjin dhe rregulloren e punës. Por ai nuk harroi të korrespondonte me liderin e tij Nikolla Gruevski, t’i jepte fjalën pa rend dhe të mos e pengonte deputetin Zekirija Ibrahimi të këndonte himnin shqiptar në sallën plenare”, ka thënë Ruskovska.

Duke u ndalur më së shumti, në pretencën e saj, te i pandehuri i parë Trajko Veljanoski dhe rolin e tij në mbrëmjen kritike dhe natën e 27 prillit 2017 në Kuvend, ajo tha:

“Çfarë bëri Veljanoski për të parandaluar kaosin? Asgjë. Në vend të kësaj, ai i ndihmoi Goran Joshevskit, shefit të sigurimit dhe të dënuar Nikolla Mitrevski – Koljo, të arrijnë në Sallën 3, ku ishin robëruar deputetë të opozitës së atëhershme “.

Vlladimir Atanasovski e ka koordinuar grupin e drejtuar nga Ninxha dhe Koljo. Por në të njëjtën kohë, ai i ka koordinuar udhëheqësit e protestës Andon Qoseto, dhe “Tvrdokornite” etj.

“Tani i dënuari Oliver Radullov, siguria e tij personale dhe Sasho Markovski nga DSK i kanë dërguar ata në Parlament për të hequr hard disqet nga kamerat e mbikqyrjes për të shkatërruar provat e asaj që po ndodhte në Parlament,” përfundoi Ruskovska.

Pasi e dëgjoi prokuroren, i pari u ngrit i pandehuri i parë, Trajko Veljanoski, i cili u deklarua i pafajshëm sipas aktakuzës.

Pastaj edhe Spiro Ristovski tha se ishte i pafajshëm, njëlloj sikurse Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski.

Gjykimi vazhdon më 9 mars. Si dëshmitar i parë është ftuar Oliver Spasovski./Portalb