Digjet një stallë me bagëti në fshatin Reçan të Gostivarit

Një zjarr masiv ka shkrumbuar stallën e bagëtive në fshatin Reçan të Gostivarit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 22:00 të së hënës, ku banorë të zonës kanë parë flaket e zjarrit në stallën e bagëtive të familjes Hasani. Stalla vazhdonte të digjej edhe sot së bashku me 100 krerë bagëti, një pjesë e të cilave dukeshin se si janë djegur, një pjesë ishin shkrumbuar dhe kishin mbetur nën gërmadha.

Dëmi që i ishte shkatuar familjes Hasani, llogaritej në rreth 40.000 euro. Kryefamiljari Jusuf Hasani i tmerruar nga ajo që i kishte ndodhur nuk mundi të flas para kamerave të televizionit Globi, ndërsa dhëndri i tij Fekri Maliku apelon institucionet të marrin masa për të zbardhur sa më parë shkaqet e zjarrit dhe të kompensohet dëmi i shkaktuar.

“Ka përafërsisht 100 krerë të vogla dhe të mëdha. Dëm ka edhe me ushqimin e kafshëve pasi është djegur edhe zahireja prej 2.500 ballave. Këto të gjitha kanë shkuar. Apelojmë te institucionet që ta marrin parasyshë dëmin e shkaktuar, pasi ky është bujk e blegtor që kontribuon sado pak me bylmetin që i jep shtetit. Kemi pasur edhe ne si banorë dobi pasi edhe ne kemi ngrënë nga këtu, na ka furnizuar me djath, qumësht e me mish. Dëmi i ka ndodhur, por kjo është një katastrofë që mos i ndodht askujt. Shteti është vesh-shurdhër, duhet të jetë më sy çelë në këto raste pasi tani vjen kohë dimri dhe ky zahire nuk mund të bëjë, kositja mbaroi, ajo bëhet dy herë te ne dhe thatësirat e bënë të veten”, deklaroi Fekri Maliku, familjarë.

Pronari ka njoftuar menjëherë zjarrfikësit, të cilët kanë intervenuar në lokalizimin e zjarrit, ndërsa paraprakisht kishte arritur të shpëtoj nga zjarri vetëm pesë lopë. Familja ka siguruar të ardhurat nga ky biznes me të cilën merret 20 vite, tash nuk dinë se si do ta sigurojnë ekzistencën nëse institucionet nuk ua kompensojnë dëmin.

“Të ardhura të tjera nuk ka, vetëm këto krerë që i shkuan, vetëm ato kishte. Është vetë i pesti anëtarë, me tre fëmijë në shkollë, vetë i papunë, të ardhurat e tij tash janë zero”, deklaron më tej Maliku. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe organet e hetuesisë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, për të cilën familja dyshon se pas saj fshihet dora e njeriut./ Tv Globi