Die Presse: Njeriu i fortë i Kosovës ndërroi karrigen e presidentit me bankën e të akuzuarve


Pranimi për t’iu përgjigjur drejtësisë dhe akuzave nga Gjykata Speciale nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ka bërë jehonë të madhe në të gjitha mediat e botës duke e vlerësuar si një hap pozitivë dhe shumë të rëndësishëm nga ana e tij. Është gazeta e madhe austriake “Die Presse”, e cila ka kushtuar një artikull enkas ish-presidentit Thaçi dhe situatës në Kosovë pas dorëheqjes së tij.

“Die Presse” shkruan se njeriu i fortë i Kosovës (Hashim Thaçi), ka ndërruar karrigen e zyrës me bankën e të akuzuarve në Hagë. Aty shkruhet po ashtu se Thaçi ka vendosur t’i përgjigjet akuzave nga Specialja dhe nuk i ka pranuar duke u shpallur i pafajshëm.

“Njeriu i fortë i Kosovës, Hashim Thaçi tani duhej ta ndërronte karrigen e zyrës me bankën e të akuzuarve. Me një ngurrim të dukshëm, presidenti, i cili kishte dhënë dorëheqjen disa ditë më parë, e lejoi veten t’ia lexojnë aktakuzën në paraqitjen e tij të parë përpara Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë në fillim të javës. Ish-udhëheqësi politik i ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës, UÇK hodhi poshtë akuzat për përgjegjësi për krime lufte të tilla si vrasje, persekutim dhe tortura gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve 1990: “Unë deklarohem i pafajshëm për çdo pikë”, ka shkruar gazeta austriake.

Po ashtu në gazetën austriake është shkruar edhe për avokatin e Thaçit, David Hooper, i cili ironizoi me mungesën e akuzave për trafikim organesh në aktakuzën kundër klientit të tij.