Dibra vazhdon rezultatet fantastike ndaj koronavirusit


Dibra më shumë se dhjetë ditë pa ndërprerë po vazhdon të kalon pa raste të reja me virusin korona, përkundër se testimet vazhdojnë të kryhen.

Tash e 12-të ditë vazhdon të ngelë i njëjtë numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin korona, 49 sosh. Përveç se nuk ka raste të reja, tashmë në Dibër numri i qytetarëve të shëruar nga virusi korona ka arritur në 31.

“Popullata nuk duhet të sillet me triumfalizëm, sepse vazhdon problemi me virusin. Qytetarët duhet edhe më tutje të qëndrojnë të disiplinuar dhe t’i respektojnë masat qeveritare”, tha kryetari i Shtabit të Krizës për Dibër dhe Qendrën Zhupa, Hekuran Duka.

Ndryshe, pas 10 ditëve pa asnjë të sëmurë të ri nga koronavirusi dhe 30 ditë të kaluara nga shpallja e gjendjes së krizës, prej 13 prillit në territoret e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë vlejnë masat e njëjta si në mbarë vendin.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas propozimit të Shtabit kryesor koordinues të krizës, i hoqi të gjitha masat e parapara për territorin e dy komunave të përmendura të cilat ishin në fuqi sipas planit të aksionit të përgatitur më 13 mars 2020.

Qytetarët e dy komunave ishin 30 ditë në karantinë dhe me kufizim të lëvizjes për shkak të krizës shëndetësore.

“Qytetarët janë për çdo lëvdatë dhe mirë njohje, për shkak të disiplinës dhe përkushtimit në luftën kundër koronavirusit dhe kjo tregon se me përkushtim, përmes disiplinës dhe vëmendjes dhe përmes këmbënguljes, të cilën e posedon secili prej nesh, mund të ndihmohemi, edhe veten edhe familjet tona edhe shtetin”, tha Oliver Spasovski.